Dy Europat dhe supershteti europian
Hera - herës nga takimet e niveleve të larta europiane janë pritur zgjidhje të shpejta për krizën europiane. Nganjëherë ka vërtet një rritje të optimizmit që është reflektuar edhe në tregjet europiane dhe ato globale. Sidoqoftë më së shumti tregjet kanë reaguar në mënyrë jo shumë pozitive. Flitet se kriza e euros mund të jetë edhe një krizë institucionale e vetë Bashkimit Europian duke u ngritur hamendje nga më të ndryshmet se ndoshta nuk funksionojnë instrumentet e Bashkimit Europian për të menaxhuar krizën, kështu që zgjidhjet janë të tilla që nuk nxisin në mënyrë pozitive tregjet. Por diçka e rëndësishme po vihet re së fundmi sepse përgjatë krizës europiane vetë Bashkimi Europian ka ndryshuar. Ndoshta edhe për shkakun se sfida istitucionale me atë financiare janë të gërshetuara në mënyrë shumë dramatike dhe pa u gjetur një zgjidhje për krizën financiare nuk mund të gjendet një zgjidhje institucionale. Këtë mendim kanë shfaqur edhe liderët europianë, vlen të përmendim presidentin francez Hollande dhe presidentin e Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti. Gjithsesi Bashkimi Europian ka ndryshuar shumë dhe sipas analistëve të ndryshëm europianë, Bashkimi Europian që doli prej Traktaktit të Lisbonës pothuajse nuk ekziston më. Vendimet merren ndërkaq nga shtetet e ndryshme të zonës euro të cilat më pas formalizohen nga Këshilli Europian ose nga ministrat e Ekonomisë dhe ato të Financave të Bashkimit Europian. Ndërkaq kriza e monedhës së përbashkët ka sjellë si rezultat krijimin e dy Europave: njëra që ka lidhje me tregun e përbashkët dhe tjetra që është e lidhur me monedhën e përbashkët të Bashkimit Europian gjithsesi të dyja të lidhura bashkë nga Traktaktet e ndryshme që fillojnë që prej Traktaktit të Maastrihtit. Ndoshta mungesa e Britanisë së Madhe ndihet shumë në zonën euro. Kjo mungesë ka shenjuar ndërkaq përballjen politike në Europë dhe ndarja nuk është më mes nacionalistëve dhe europeistëve por mes projekteve të ndryshme të integrimit. Ka patur në fakt tentativa, që prej majit te vitit të kaluar, nga disa ministra të jashtëm europianë të udhëhequr nga ministri i jashtëm gjerman Guido Westerwele por edhe në brendësi të atij grupi një vend si Franca ka qenë më i ftohtë përkundrejt projekteve të integrimit që sjellin një dimension të ri të sovranitetit kombëtar. Nëse është e vërtetë që Franca e Hollande ka dhënë kontribute pozitive për të ridimensionuar impaktin e ortodoksisë financiare të Gjermanisë po aq e vërtetë është edhe ideja franceze për një Europë ndërqeveritare. Në këtë mënyrë do të jetë e vështirë që në një kohë të shpejtë të gjendej një zgjidhje institucionale për krizën e euros. Ndërkaq vetë presidenti francez Hollande është deklaruar në favor të integrimit për t’i dhënë jetë një qeverie eficente dhe legjitime të monedhës së përbashkët. Ndoshta shteti që mund të luante rolin e një menteshe mes vendeve të tjera të cilat kanë edhe ide të ndryshme për Europën, mund të ishte Italia. Ky vend mund të luajë një rol vendimtar mes ideve të ndryshme për procesin e integrimit por në të njëjëtën kohë edhe për integrimin fiskal dhe atë bankar. Natyrisht do të humbnin shumë ato shtete që nuk dëshirojnë të heqin dorë nga sovraniteti kombëtar i tyre. Nga ana tjetër kjo nuk mund të bëhej me shkopin magjik sepse do të nevojiteshin edhe institucione më të shumta europiane. Për Europën do të kishte veçse të mira sepse shtetet që nuk arrijnë dot të vetveqerisen do të qeveriseshin nga institucionet europiane dhe projekti do të ishte shumë origjinal i një qeverie politike Europiane. Një projekt për të cilin në të njëjtën kohë ka rreth tre vjet që punohet sidomos në strukturën vendimmarrëse të Bashkimit Europian me rolin që ka marrë ndërkaq edhe Këshilli i Europës që kontrollohet nga Parlamenti Europian. Pikërisht ky projekt reformash i dy institucioneve do t’i lejonte Italisë që të ishte nga e Francës, e cila nga ana e saj është pro Këshillit Europian, por edhe nga ana e Gjermanisë që është pro Parlamentit Europian. Natyrisht nuk do të kishim një Europë si ajo që imagjinon Economist që jep si alternative një super - shtet europian ose shpërbërjen e Bashkimit Europian. Sidoqoftë nga Italia dhe presidenti i Këshillit të ministrave të Italisë, Mario Monti po vijnë fraza optimiste. “Ne dhe pjesa tjtër e Europës po i afrohemi fundit të tynelit” të krizës, kështu është shprehur Mario Monti në një intervistë të tij dhënë për një radio italaine. Për të vazhduar më tej se “fundi i tunelit po fillon të ndriçohet”. I pyetur më tej nëse Italia i ka kryer detyrat e saj, Mario Monti është përgjigjur se: “Nëse është e vërtetë se provimet nuk mbarojnë kurrë, si mund të mbaronin detyrat. Jemi shumë përpara në ato që kishim premtuar që të bënim”.