Taksa marksiste do të mbetet për këtë shekull, e ndrydhur në kasafortën e PS-së
Kryeministri Berisha vlerëson konkluzionet e institucioneve ndërkombëtare për lirinë ekonomike në Shqipëri
“Institucione, ndër më seriozet në botë, të mbështetura edhe nga institucionet e Bretton Woods, konkludojnë se zgjerimi i lirisë ekonomike ka bërë që Shqipëria ish komuniste, që vetën pak vite më parë ishte e 93-të në botë, të zbresë në vendin e 12 në botë, ndërsa një vend tjetër mik, i cili ishte një dekadë më parë në vendin e 42, të ngjitet në vendin e 84 në botë, si rezultat i përpjekjeve për të injektuar socializëm dhe dështim”
Kryeministri Sali Berisha e vuri theksin dje, gjatë mbledhjes së qeverisë, te zhvillimet ekonomike dhe arritjet në sajë të reformave qeverisëse në këtë drejtim.
Duke përshëndetur reformat e kësaj administrate kryeministri garantoi qytetarët dhe biznesmenët shqiptarë se liria ekonomike do të njohë dimensione të reja, ndërsa theksoi se punësimi është dhe do mbetet synimi më madhor i Qeverisë, në iniciativën e lirë dhe jo me punësim në administratë.
Kryeministri Berisha, duke iu referuar dje edhe një studimi ndërkombëtar, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 12 në botë për sa i përket lirisë ekonomike, u shpreh se, “Në këtë shkrim, këto institucione, ndër më seriozet në botë, të mbështetura edhe nga institucionet e Bretton Woods, konkludojnë se zgjerimi i lirisë ekonomike ka bërë që Shqipëria ish komuniste, që vetën pak vite më parë ishte e 93-të në botë, të zbresë në vendin e 12 në botë, ndërsa një vend tjetër mik, i cili ishte një dekadë më parë në vendin e 42, të ngjitet në vendin e 84 në botë, si rezultat i përpjekjeve për të injektuar socializëm dhe dështim”.
Sipas Kryeministrit Berisha, “socializmi shkatërron pasuritë, kurse liria ekonomike çon në krijimin e saj. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm ky fakt që botohet së fundi në të gjithë letërsinë ekonomike botërore. Mbi këtë fakt janë interpretimet e suksesit ekonomik të Shqipërisë dhe modelit ekonomik të saj”. “Gjatë periudhës dhjetëvjeçare së cilës i referohet studimit, Shqipëria ish komuniste, thotë studimi, lëviz nga vendi i 93-të në botë në vendin e 12 në botë dhe po të krahasosh, vazhdon studimi prestigjioz, këto dy vende, Shqipëria dhe Afrika e Jugut, të vlerësuara me shkallën 10, Shqipëria vlerësohet me 9.06 për sa i përket përmasave të qeverisë, kundrejt 5.02 që vlerësohet Afrika e Jugut, pra, pothuajse dy herë më të madhe në proporcion me popullatën. Në të drejtën e pronësisë dhe sigurinë, vendet janë përafërsisht në të njëjtin shkallë vlerësimi. Ndërsa për aksesin në kreditë e shëndosha, Shqipëria është afër shkallës 10, respektivisht 9.63, kundrejt 7.9 që merr vendi tjetër. Në lirinë e tregtisë ndërkombëtare, vendet janë pak a shumë në të njëjtën përqindje. Në qoftë se në Shqipëri shpenzimet totale në rroga e të tjera për qeverinë janë 10.43 për qind e GDP-së, për Afrikën e Jugut janë 25.53 për qind. Imagjinoni për një moment se çfarë ndodhi me paratë që ne trefishuam për bashkinë e Tiranës, kur ato u shndërruan të gjitha në rroga për 4 mijë punonjës. Taksat në Shqipëri janë 10 për qind, në Afrikën e Jugut janë 40 për qind. Kjo flet vetë!”, shtoi Berisha.
Përkundrejt këtyre arritjeve, Berisha argumentoi se kërkesat dhe pretendimet e ardhura nga kampi i majtë janë të paqëndrueshme, e për më tepër nuk sjellin rezultatin e kërkuar.
“Taksa marksiste do të mbetet për këtë shekull, e ndrydhur në kasafortën e Partisë Socialiste. Shifrat e tregojnë vetë se çfarë krijon taksa progresiste e Marksit. Nuk mund të kishte krahasim programor më spektakolar, më të qartë e të rëndësishëm se ky”.
Kryeministri Berisha shprehu edhe një herë bindjen se taksa progresiste nuk është e dobishme dhe se ajo “shkatërron ëndrrën për prosperitet”, duke e vlerësuar studimin, në këtë aspekt, si krahasimin programor më të qartë e të rëndësishëm.
“Raporti thotë se në rast se ekziston ëndrra e prosperitetit, si një ëndërr e ligjshme për qytetarët e lirë, për të parë veten, familjen e shoqërinë e tyre më të begatë, kjo ëndërr shkatërrohet tërësisht nga taksat progresiste e taksat e socializmit real, se taksa progresiste është taksa e Marksit. Kjo ëndërr bëhet gjithnjë e më shumë e vërtetë nëpërmjet lirisë ekonomike. Ju e patë se Afrika e Jugut ka taksat 40 për qind në total, taksë që Shqipëria e ka 10 për qind. Nëse i referohemi investimeve publike, po t’i proporcionosh me taksën, Shqipëria ka 250 për qind më shumë investime publike se Afrika e Jugut. Kjo, sepse administrata e fryrë merr të gjitha shpenzimet dhe nuk mbetet për investime”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha, duke falënderuar këto institucione, ndër më seriozet në botë, si për vlerësimin që i kanë bërë lirisë ekonomike të Shqipërisë, por edhe për leksionin që japin e mbrojtjen që i bëjnë kësaj lirie në botë, ku theksohet se socializmi shkatërron pasurinë, liria ekonomike udhëheq në krijimin e saj.