A e njohim Mesdheun
Në shqip vepra e Fernand Braudel
"Ç'është Mesdheu? Një mijë gjëra njëherësh. Jo një peizazh i vetëm por një pafundësi peizazhesh. Jo një det i vetëm, por një vazhdimësi detesh. Jo një qytetërim i vetëm, por qytetërime të ngjeshura pas njëri-tjetrit. Të udhëtosh nëpër Mesdhe do të thotë të gjesh botën romake në Liban, parahistorinë në Sardenjë, qytetet greke në Siçili, praninë arabe në Spanjë, islamin turk në Jugosllavi. Do të thotë të zhytesh në thellësi të shekujve, deri në ndërtimet megalitike të Maltës apo deri te piramidat e Egjiptit.
Do të thotë të takosh realitete mjaft të lashta, ende të gjalla, përkrah ultramodernes: pranë Venecias ngrihet impianti i madh industrial i Mestrës, me atë palëvizshmërinë e tij mashtruese; pranë barkës së peshkatarit që vazhdon të jetë ajo e Uliksit, rrinë peshkatorja që rrënon fundet e detrave, dhe naftëmbajtëset e stërmëdha. Do të thotë të zhytesh në arkaizmin e botëve ishullore e njëherazi të befasohesh përpara rinisë së jashtëzakonshme të qyteteve tepër të lashta, të hapura ndaj çdo lloj ere kulturore e fitimprurëse, e që prej shekujsh vazhdojnë të mbikëqyrin e të konsumojnë detin. Ndodh kështu sepse Mesdheu është një udhëkryq shumë i vjetër.
" Është një copë nga përshkrimi që gjejmë në librin "Mesdheu" me autor një prej historianëve më të shquar francezë e europianë të shekullit që shkoi, Fernand Braudel. Sapo ka ardhur në shqipe i përkthyer nga Mirela Kumbaro dhe i botuar nga Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit.
Libri i Fernand Braudel (në bashkëpunim me një tjetër historian të shquar, Georges Duby, si dhe disa studiues të njohur të disiplinave të ndryshme si Roger Arnaldez, Maurice Aymard, Filippo Coarelli, Jean Gaudemet, Piergiorgio Solinas), ka realizuar këtë afresk mbi Mesdheun, të kuptuar si hapësirë, si vend gjeografik dhe sidomos si djep i qytetërimeve të mëdha, ku për shekuj me radhë historia e njerëzimit ka shkruar disa nga faqet e saj më emocionuese.
Fernand Braudel (1902-1985), konsiderohet një nga historianët kryesorë të Francës, si dhe të mbarë botës gjatë shekullit XX; fama e tij është e lidhur sidomos me vepra të tilla që kanë ushtruar influencë të jashtëzakonshme edhe nën profilin metodologjik, si La Méditerranée et le mond des méditerranéens à l'époque de Philippe II (1949) ose Civilisation matérielle et capitalisme (1967-1979). Të shumta janë esetë të përmbledhura në vitin 1969 nën titullin Ecrits sur l'histoire. Në shqip deri më sot nga Braudel është botuar vetëm libri Gramatika e Qytetërimeve.