PS: Qeveria të publikojë listat e shtetasve që nuk do votojnë
Sekretari socialist, Kastriot Islami, i ka bërë thirrje ekzekutivit të heqë dorë nga presioni mbi administratën
"PS i bën thirrje të gjithë qytetarëve të shkojnë në zyrat e aplikimit për të tërhequr letërnjoftimet"
Dy ditë pasi është mbyllur procesi i aplikimeve për karta identiteti në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste kërkon nga qeveria që të bëjë transparencën e munguar të këtij procesi. Në një dalje të posaçme për mediat, sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, në emër të forcës që përfaqëson ka kërkuar prej Ministrisë së Brendshme që për të rritur besimin e opinionit publik dhe politik tek zgjedhjet e ardhshme, të vërë në dispozicion të të gjithë të interesuarve listën e plotë të shtetasve që janë bërë pjesë e këtij procesi, si dhe ajo që duket se ka më shumë rëndësi në këtë moment, listën e zgjedhësve pa pasaportë që për arsye të ndryshme nuk aplikuan dhe për rrjedhojë as nuk do mund të votojnë më 28 qershor. "PSSH e angazhuar plotësisht për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme i bën thirrje qeverisë për rritje të ndjeshme të transparencës dhe informim intensiv të publikut.
PSSH vlerëson shumë të rëndësishme për rritjen e besimit të publikut tek procesi zgjedhor që tanimë kur ka përfunduar procesi i aplikimit për votuesit pa pasaportë të bëhen transparente: listat emërore të të gjithë aplikantëve, të të gjithë atyre që kanë marrë në dorë letërnjoftimin dhe të gjithë votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar", - u shpreh Kastriot Islami dje në konferencë shtypi. Kjo nuk është hera e parë që socialistët përsërisin këtë kërkesë, pasi në vijimësi gjatë këtyre tre javëve ata kanë kërkuar informacion të plotë prej Ministrisë së Brendshme, e cila edhe kur ky proces është mbyllur prej ditësh nuk ka qenë e aftë t'i japë një përgjigje shqetësimit të socialistëve. Pavarësisht rezervave për procesin e aplikimeve socialistët duket se janë të vendosur që të vijojnë garën elektorale me qëllim që ta fitojnë atë.
Ndaj PS e gjendur përballë këtij realiteti është detyruar ta pranojë atë dhe t'i bëjë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar të shkojnë në zyrat përkatëse për të tërhequr letërnjoftimet elektronike, në mënyrë që më 28 qershor të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. "PS i kërkon qeverisë të bëjë çdo ditë përditësimin e listave të personave që iu ka ardhur letërnjoftimi në zyrën e aplikimit. Jo vetëm në faqen e internetit të MB, por edhe në çdo zyrë aplikimi dhe një kopje e tyre t'i vihet në dispozicion subjekteve politike. Kjo transparencë e procesit do të rriste besimin për zgjedhje të lira e të ndershme, por mbi të gjitha do të shpejtonte në mënyrë të ndjeshme procesin e tërheqjes së letërnjoftimeve nga të gjitha ata që tashmë kanë aplikuar dhe letërnjoftimi i të cilëve është prodhuar", - tha më tej Islami.
Një tjetër çështje për të cilën ka folur sekretari socialist ka qenë edhe ajo e garantimit të votës nga vjedhja apo manipulimi i qeverisë, duke garantuar të gjithë votuesit shqiptarë se PS ka marrë të gjitha masat për të mos lejuar një gjë të tillë. Gjithashtu ai u ka bërë thirrje të gjithë punonjësve të administratës që të dalin në votime dhe të mos tremben nga titullarët e institucioneve të tyre për votën që do hedhin. "PS ka bindjen e thellë se administrata publike është përgjithësisht e vendosur për të dhënë kontributin e saj maksimal në realizimin me sukses të këtij testi të rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe do të reagojë me pjekuri për zhvillimin normal të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Fton me këtë rast qeverinë të distancohet nga të gjithë këto presione që i bëhen administratës publike dhe t'i bashkohet thirrjes për një proces zgjedhor të qetë e klimë që u garanton të gjithë votuesve shprehjen e lirë të votës dhe numërimin e saj të ndershëm", u shpreh Islami, duke garantuar punonjësit e administratës civile se askush nuk do të mund të cenojë statusin e tyre të fituar me ligj.