E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranë aksidentalisht fëmijën, mbyllet hetimi për vëllezërit

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale me të pandehur dy vëllezërit Vogli, të cilët në sherr e sipër me fqinjin e tij i kanë shkaktuar vdekjen një fëmije 3 vjeç. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku dosja penale me numër 1498 tashmë është hedhur në short dhe do të gjykohet nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Martin Deda.


Sipas kërkesës për gjykim, dy vëllezërit Bexhet e Sali Vogli kanë kryer veprën penale të "vrasjes nga pakujdesia" të djalit 3- vjeçar me inicialet K.S. dhe "dhunimit të banesës" të shtetasit Ilir Faslliu. Sipas kësaj dosjeje, mësohet se dy vëllezërit Vogli dhe shtetasi 40- vjeçar Faslliu janë fqinjë dhe rruga për në shtëpinë e familjes Vogli kalon nga dera e shtëpisë së familjes Faslliu. Dy vëllezërit Vogli në rrugën që i dërgonte ata në banesën e tyre ecnin shpejt me makinën e tyre të tipit "Benz", duke sjellë pakënaqësinë e fqinjit Faslliu. Në mesditën e datës 12 mars 2009, në kohën që vëllezërit Vogli po kalonin me makinën e tyre me shpejtësi në rrugën e lagjes "Ali Demi" i njohur si zona e "Shkozës", Faslliu ia ka prerë rrugën, duke i kërkuar të ulin shpejtësinë.


Por, kjo kërkesë nuk i ka pëlqyer dy vëllezërve Vogli të cilët kanë shkëmbyer fjalë fyese me 40- vjeçarin Faslliu, që ka degjeneruar në konflikt verbal mes tyre. Dy të rinjët përkatësisht 33 vjeçari Bexhet dhe 24 vjeçari Sali Vogli, në sherr e sipër kanë hyrë brenda ambienteve të shtëpisë së 40 vjeçarit Fasliu duke u grindur, pa e diktuar që në rrugë kishin shkelur me këmbë një fëmijë të moshës 3 vjeç i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas evidentimit të këtij fakti, dy vëllezërit Vogli janë arrestuar nga policia dhe tashmë pritet të gjykohen për krimin kryer, të "vrasjes nga pakujdesia" të fëmijës 3 vjeç dhe "dhunimit të banesës" së fqinjit Faslliu.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›