E Shtunë, 31 Tetor 2026

A e sfidoi Viktor Zhusti skenën?

Do desha ta nisja krejt ndryshe mendimin si dhe përshtypjen që përftova nga komedia "Të gjithë me huqe" të francezit Laurent Baffi, me regji të Gëzim Kames. Pikërisht me Viktor Zhustin në rolin e mjekut. Ishte një rikthim që meritoi lavde. Një instinkt aktorial prore i zgjuar, ashtu fërgëllues, ashtu i pnellshëm. Dhe sa më gëzoi rikthimi i tij?! I tëri sikur ish nën ritëm e dinamikë, një qenie që çlironte energji psikike. Një fjalë e ngopur me pasion. Edhe kur klithma, e ardhur si shënjim regjisorial, apo sharja e trajtuar si ritual dhe e kthyer në lajtmotiv diku edhe teprohej, gjithsesi ato këqyreshin prej aktorit si elemente humoristike, sikurse edhe si qasje vetëdemaskuese. Diku aty më tutje mesit të shfaqjes, kur elementi banal i sharjeve dukej se e pat konsumuar edhe pikën e fundit të efektit humoristik te publiku, më buiti ideja: A mos vallë bërtet ca si shumë ky Viktori? A s‘është kthyer në qëllim ky zhargon fjalësh të ndyra, që vijnë prej autorit, por që enkas janë theksuar edhe nga regjia, edhe nga aktrimi? Në fillim kjo vërejtje dyshuese prej kritiku "pedant", rob i "aritmetikës" së një estetike që e pranon banalitetin veçse në funksionin e korrektesës së komunikimit përmes fjalës, përkundrazi, në fund të shfaqjes, thuajse m‘u fashit. Paçka se të një trajte (a tipologjie), klithmat, a britmat, a sharjet, kurrë s‘e humbisnin "ngjyrën". Ishin secila në vendin e vet, të justifikuara nga qëllimi; secila me intonacionin e vet, të përshtatura me karakterin dhe situatën; e shumta si të papritura, të çuara deri në zgrip, rëndom nervoze, marroke, të "pakontrolluara". T‘ia rrëmbesh të qeshurën publikut brenda po atij stili dhe formati që vinte prej këtij fjalorthi banalitetesh e sharjes, nuk ishte e lehtë. Duhet të jesh një "usta" i skenës. Kaq vite larg saj, Viktor Zhusti hipi sërish aty, mbi dërrasat e saj, si një "usta". Si një artist. Si një profesor i munguar. Ai arriti ta tejkalonte mungesën e viteve jashtë skene. I sfidoi ato. Instinktin e tij aktorial koha prej afër 20 vjet larg e pat ruajtur fare mirë, fare bukur. Këtë shfrim simpatie ndaj tij, me ardhjen e beftë, po aq të bujshme në llojin e vet, besoj se nuk e kam përjashtimisht timen si mbresa të hipotekave të mia kritike a nostalgjive të plakura, por si një mall që spektatori i moshës sime e ndiente (si me Timo Fllokon në rolin e Edi Karbones te "Pamje nga ura"). Por edhe spektatori i moshës së re u befasua nga prania e tij, e duartrokiti veçmas, duke shtuar skedat e munguara të idoleve që ai krijon. Gjithmonë më ka pëlqyer në lojën e Viktorit, sikurse edhe te kjo komedi, dhuntia e komunikimit konkret, organik, të atypëratyshëm, ku gjithçka ka një adresë të saktë e ku konvencioni i lojës sikur "sfidohet", për t‘i dhënë tashmë asaj një status mirëfilli artistik. Pra, si një lojë që rreket të mbërrijë në epërsinë e shprehimësisë artistike, ku veç një qime e ndan të vërtetën e jetës nga ajo e skenës. Kaq afër duken dy skajet vërtetësi loje-vërtetësi jete, si në një simbiozë. Pikërisht për arritjen e kësaj dikotomie vuajnë aq shumë gjithë aktorët e talentuar. Zhusti më duket se e arriti. Ai "luajti", madje, si Magu me publikun e vet, e shkriu iluzionin duke e ruajtur po aq bukur atë. Me fjalën energjike, me lidhjen thuajse natyrale që vendoste me partnerin dhe shumë veti të tjera, që koha na mungon t‘i shtjellojmë veçmas, por as t‘ia lodhim më tej mendjen lexuesve s‘na lejohet. Besoj se publiku e vuri re trajtimin inteligjent të dialogut prej tij, për të vënë në spikamë bash atë që ishte kryesore, për të goditur bash aty ku humori mund të vilej më mirë, për të mbërritur bash aty ku domethënia shfaqej si nuance si konotacion i mirëfilltë aktorial, për të manipuluar me shkathtësi mbi lodrimet që fitonte fjala në tekst, kontekst e nëntekst, për të qenë në ujdi e harmoni edhe me trajtimin e saj nga dioptria regjisoriale e Kames. Tjetra që spektatori më ngjan se çmoi në interpretimin e Zhustit ishte temperamenti kolerik i tij, që kaq mirë i shkonte udhësh rolit (njeriut që rreket të përmbajë fjalët e ndyra ardhur në cep të buzës, por që ca më keq i lëshon ato sa herë përnxitet prej reagimeve të dikujt tjetri përbri). Loja me këtë sindromë psikike e bën aktorin zot të kontrapunkteve: aty hesht, kërkon falje, turpërohet, lazdrohet dhe po aty, krejt papritur, ia kërcet me ndonjë sharje tjetër, edhe më të rëndë, nxjerrë tashmë nga "xhepi i pasmë". Dhe kur në fund të shfaqjes marrim vesh se gjithçka që ai bënte s‘ishte veçse një lojë, një truk prej mjeku për të shëruar të tjerët, atëbotë të vjen të thuash: Po, ju e luajtët bukur mirë rolin tuaj, miku im, me praninë e gjerë të kundërthënieve dhe kundërvënieve, dy nga gjërat më të vështira të lojës aktoriale, por aq pjellore për nga mendimi, përshtypjet e krijuara dhe asociacionet që lindin fill pas tyre.

Viktor Zhusti ishte nga figurat më të realizuara të komedisë, në mos më e mira. Por i vetëm, ai s‘kish për ta grishur entuziazmin dhe harenë e publikut. Roland Trebicka, që si vëllim dhe veprim ishte mbrojtësi i intrigës komike, elementi bazik i fabulës dhe ndërlidhësi i episodeve (peripecive) me rolin e komentuesit (ndryshe thënë, "spikerit", "difidentit", "interlokutorit"), bën një hap tjetër të sigurt në karrierën e tij si një nga komikët më të suksesshëm të teatrit shqiptar. Ndonëse në formatin e tij, por jo edhe në ravijëzimet mjeshtërore e mbresëlënëse të një Jovan Bregu, Xhenarinoje apo Jaku, sidoqoftë Trebicka dëshmoi sigurinë, mjeshtërinë dhe praninë e tij të fortë skenike, me një përdorim të mençur të replikës humoristike, me lirshmërinë plastike, me aftësinë për t‘u përshtatur në mënyrë organike në situatë, me fjalën e pastër dhe energjike dhe, sidomos, me ndjesinë e udhëheqjes së veprimit kryesor të krejt shfaqjes brenda një ritmi imponues dhe energjik. Olta Daku ishte aktorja e tretë, me shpërthimet e befta dhe dhuntitë e bollshme komike që ajo ka, duke përvijuar një figurë origjinale: gruan në panik, të trembur nga harresa dhe paranoja e "gabimit" që ajo i sjell. Është një aktore, nga të rrallat e brezit të saj, që lundron bukur mirë në format burleske dhe groteske, duke ruajtur, brenda elegancës së tyre estetike, vërtetësinë e veprimit dhe "seriozitetin" e fshehur pas trajtës së zmadhuar të vesit të përshkruar. Edhe të tre të tjerët krijuan figura të mëvetësishme, me integritet psikik dhe plastik: Rajmonda Bulku në rolin e një gruaje me huqin e neverisë dhe frikës nga papastërtia dhe mikrobet, Ermela Teli me huqin e fituar nga një fatkeqësi familjare duke përsëdytur çdo fjalë, dhe Genci Fuga me huqin e njeriut që ka frikë të shkelë mbi "vijat ndarëse". Mund të flisja diç më gjatë, por "torta", edhe për respekt e takt, i takonte kolegut të munguar, Viktor Zhustit. Dhe tani le të flasim diçka për regjinë e Gëzim Kames. Më duhet të them se kjo shfaqje ishte e aktorëve dhe tipave që ata krijuan. Por ishte, sakaq, meritë e regjisorit që e mbështeti krejt rrjedhën e aksionit në gjashtë aktorë, thuajse të mbërthyer në karrige, përballë spektatorit, me fare pak lëvizje plotësuese. Megashenja mizanskenike ishte ky panel i ngulitur i aktorëve, sy për sy me spektatorin, në pritje të mjekut-terapist. Dhe, pra, të ruash temporitmin e lartë, t‘i ndërkallësh vrull dhe energji shfaqjes me fare pak lëvizje, me një minimum mobilimi për të manovruar, me një pikëvështrim njëtrajtësor (pa thyerje vertikale të sheshit skenik, por veçse me një rresht karrigesh të palëvizura horizontalisht) dhe, më në fund, të mbërrish në një sukses tashmë të padiskutueshëm duke llogaritur veçse mbi dialogun dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta psikologjike midis aktorëve, kjo nuk ka qenë e lehtë. Përkundrazi, për mua, është nga zgjidhjet e vështira, e para e këtij lloji e Gëzim Kames. Kush i njeh hilet e skenës e kupton se një e tillë mizanskenë "statike" mund të çonte fare lehtë drejt dështimit, mërzisë, me "monotoninë" që rrezikonte të krijonte. Por s‘ndodhi kështu. Gëzim Kame, me përvojën që ka, si një regjisor që pëlqen veprimet e gjalla, dinamike dhe me pak lëvizje, tejet lakonike dhe këto, arriti ta mbajë gjallë vëmendjen tonë. Dhe kjo falë kujdesit për fjalën, dialogun, marrëdhënien, me fare pak "spekulacione" regjisoriale, me fare pak "truke" (për të mos thënë asnjë) për të tërhequr vëmendjen dhe për të "zgjuar" vetëdijen e publikut nga "dremitja" e mundshme, që ngjet në kësi rastesh. Puna e tij, në këtë kuptim, është e lavdërueshme. Por dua të vij te një problem, që ia vlen të diskutohet, pa mëtuar të jem unë shqiptuesi i "të vërtetës" a sentencës së "vendimit". Pra: a mund të ngjitej kjo lloj komedie në skenën e Teatrit Kombëtar si teatri që ruan, sidoqoftë, një format të vetin, një model, një nivel, një synim jo lehtë të lakmuar nga tjetërkush, as lehtë të pranuar nga mendtarët që i japin viston repertorit të tij. S‘jam assesi me idenë se në këtë teatër pafundësisht duhet të respektohen nivelet dhe referencat e një: Shekspiri, Molieri, Çehovi, Ibseni, Strindbergu, Pirandeloje, Beketi a Joneskoje. Jo, edhe komeditë janë të bujtura. Por cilat pikërisht? Ato që kanë fare-fare pak pretendime për të shqiptuar shqetësime shoqërore me rëndësi për njeriun dhe kohën tonë si komedia në fjalë? Ato që veç ngrihen mbi do tipa paranojakë, dhe me "huqin" e tyre luhet e luhet deri në fund, duke e nxitur të qeshurën gjer edhe me elemente spekulative? Ato që strukturën e tyre e ngrenë gjithpo në atë mekanizëm të thjeshtëzuar, te shakaja patëkeq dhe elementi i lehtë i humorit? Ato që shakanë nuk arrijnë ta shndërrojnë veçse si një vesk, prej nga të vezullojë satira, ironia a sarkazma? Ato që, madje, as shpoti nuk kanë shumë brenda tyre për të stigmatizuar vese me rrezikshmëri shoqërore apo mangësi të tjera morale, të një përmase prej ku mund të lind një katarsë serioze dhe frutdhënëse? Unë mbetem i mendjes se Teatri Kombëtar, me pak më shumë takt, mund t‘i trajtojë komedi të kësaj tipologjie veçse si përplotësuese sezonale të repertorit të vet. Pra, si një lloj "garniture", ndoshta në një turne turistik a nuk e di çfarë tjetër. Fare bukur kjo komedi, diku në një tjetër teatër, po, mund të jetë dhe është e shumëpritur. Kjo që thashë këtu më sipër mund të jetë një paragjykim i imi estetik, nuk e di. Sepse, nga ana tjetër, teksa ndiej reagimet e brufullta të spektatorit dhe shoh se si salla mbushet plotë e përplot, atëherë më bujt sakaq mendimi kundërvënës: A s‘duhen çlodhur vallë me ndopak gaz e humor të lehtë mendjet dhe shpirtrat e lodhur e të stresuar të njerëzve tanë? Atyre njerëzve, që i duam t‘i kemi në teatër si spektatorë, paçka se na mërziten me "tragjeditë" dhe "dramat" (sepse të tilla kanë, për dreq, aq shumë në familjet dhe jetët e tyre të strapacuara). Pra, një teatër jo elitar, por të tipit të Vilarit, Brehtit, Xhorisë, Shumanit dhe Strehlerit: një teatër popullor. Teksa mendoj punën e suksesshme të drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skramit, në përzgjedhjen e derisotme të repertorit, sërish ngacmohem dhe më vjen në buzë pyetja: Mos vallë pranimi i tipave të tillë të komedive shakatore, që luajnë, më së shumti, me elementin banal, me sjelljet paradoksale të njeriut, dhe që shprehin, për fat të keq, pak qëllime e ide të mbrothta estetike, pak përmbajtje sociale, politike, morale a filozofike s‘janë veçse ndoca ndërmarrje dinake e pragmatiste për ta joshur e risjellë publikun në teatër? Për të mbushur arkën? Kjo e dyta jo se jo, pasi financat e teatrit sigurohen nga buxheti i shtetit, kurse trysnia që mund të vinte prej aktorëve për të përfituar nga paratë prej shitjes së biletave, është thuajse nul. Pozita ime prej kritiku është sa mospranuese, aq edhe pranuese. Sepse, nganjëherë, merr rëndësi situata e teatrit në një kohë të caktuar. Pra, situata e publikut si pjesa organike, dykahësore e teatrit. Ta sjellim këtë publik në sallë mbetet një mision, por, ama, gjithmonë me takt. Shfaqja "Të gjithë me huqe", paçka se nuk ofron gjykim e ngacmim mbi dukuri të mprehta, paçka se ka tepri në fjalë e sharje të pista, nuk mund të quhet, megjithatë, e "padëshirueshme". Për më tepër që banaliteti i saj përshfaqet në funksione mirëfilli karakteriale për personazhin kryesor të komedisë dhe, ca më tutje, dëshmohet si një lloj marrëveshje e pranuar qysh në krye të herës midis tij dhe të tjerëve si një ves i deklaruar, pra dhe i pritshëm, i "justifikuar", dhe që në fund shndërrohet në një rreng e lojë të kurdisur me zgjuarsi, në voli të shëndetit mendor të personazheve pjesëmarrëse në terapinë e realizuar, duke nxitur tek ata solidaritetin, altruizmin dhe ndihmën ndaj tjetrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›