A është Gërdeci tragjedia jonë e parë?
A është Gërdeci tragjedia jonë e parë apo nga kjo fatkeqësi duam të krijojmë tragjedi të tjera dhe të mbyllet çështja shqiptare në Gadishullin Ilirik? Gëlltitësve shekullorë iu përshtatet kjo çmenduri e askujt tjetër. Dhimbja e familjarëve dhe Shqipërisë për viktimat dhe rrënimet është dhimbje edhe e Dardanisë. Pikërisht, tragjedia ndodhi, kur kremtonim pavarësinë pas luftërave e eksodeve biblike 150-vjeçare.
Në një shoqëri normale, e cila e mori veten të konstatuar edhe nga qendrat e vendosjes, debati nuk bën të jetë ulërimë, as rrënim i shtetit, përkundrazi lypset mençuri të dilet nga kriza e quajtur Gërdec, që nuk e kishte goditur vetëm Shqipërinë. Me qindra dardanë, pleq e të rinj, kisha parë të rreshtuar tek jepnin gjak; se shqiptarët, pa marrë parasysh se ku gjendeshin, ishin alarmuar për tragjedinë e ndodhur. Kjo vërehej edhe nga solidariteti i madh në Dardani e diasporë. Në parlamentin shqiptar fatkeqësisht mungonte burrëria, dinjiteti, dëgjoheshin sharje dhe kërcënime, kërkonin triumf në fatkeqësi; ndodhte një rebelim i kurdisur, pritej dhe turpi. Fjalori që dëgjohej nuk kishte asgjë me etikën tonë. Bëhej garë mes atyre që e kishin rrënuar dogmën sllave dhe recidivëve të fundit të komunizmit. Linte përshtypje se përbirimi ynë nëpër huqet e historisë nuk ishte mbyllur. Megjithëse, mendonim se kishim dalë nga bataku i së kaluarës. Logjika komuniste, të mos themi mercenare, kisha përshtypjen se vepronte mes nesh. Nuk them se nuk lypsen korrektura në shoqërinë shqiptare, por toni ishte i papranueshëm. Shtrohet pyetja: A bën të jetë karrigia më e shenjtë se Atdheu?
Ne kurrë nuk u shamë më shumë se viteve të fundit. Kjo ndodhi nga shkaku i bindjeve, i primitivizmave fisnore dhe çatisë. Adorno do thoshte përafërsisht: “Nga trashëgimia le të përvetësohet ajo që është e vlefshme për Kombin...” Në u rritëm me tragjedinë dhe gjetëm forcë që t’i përballojmë sfidat e ndryshme. Përçarjet na sollën shpesh aty ku humbëm edhe ndonjë pëllëmbë tokë dhe na vunë megjët si dëshironin të tjerët.
Vlen të kujtohet thënia e Çerçillit: “Në qoftë se akti heroik nuk shoqërohet me aktin politik, ka mundësi të mos ketë sukses.” Që në fëmijëri mësova se: Dielli ynë lind në Perëndim. Naim Frashëri nuk ishte i marrë. Gjendemi para një ngjarjeje të madhe: pranimi i Shqipërisë në NATO. Ca nga ne nuk i lë të qetë ende dogma sllave, ëndrra për pushtet. ǒndodh me ne?
NATO, larg logjikës komuniste.
Ky tekst më së pakti ka retorikë, se flet dhimbja.