Janë shitur 1 209 objekte shtetërore për 14 milionë dollarë
Në Shqipëri është privatizur për 14 milionë dollarë nga viti 1998 deri në mesin e vitit 2005 një numër i jashtëzakonshëm objektesh shtetërore. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë bëjnë me dije se, ky numër arrin në mbi 1209 objekte që përgjithësisht janë magazina, frigoriferë, ish-fabrika, e ish-uzina shtetërore. Këto objekte nuk përfshijnë objektet që u shitën nga ish-pronat e kompanive rentiere, të cilat dolën në ankand, por janë objekte shtetërore. Të dhënat bëjnë me dije se, këto objekte janë shitur përgjatë gjithë këtyre viteve, duke patur një intensitet më të madh në vitin 2004 dhe në vitin 2001, të cilët kanë qenë edhe vite zgjedhorë. Vlera prej 1.4 miliard lekësh ose më pak se 14 milionë dollarë me kursin e sotëm të dollarit dhe rreth 15 milionë dollarë me kursin e atëhershëm të dollarit, duket qartë se është shumë pak për këtë numër të jashtëzakonshëm objektesh shtetërore. Gjithashtu, gjatë viteve 1998-2005 janë privatizuar edhe 40 shoqëri anonime shtetërore, të cilat janë shitur për një vlerë prej 4.6 miliardë lekësh, ose rreth 45 milionë dollarë, ku afërsisht secilës i takon rreth një milion dollarë. Janë privatizuar gjithashtu edhe 23 shoqëri të përbashkëta, për një vlerë prej 0.7 miliard lekësh, ose për rreth 7 milionë dollarë. Procesi i privatizimit gjatë këtyre viteve ka përfshirë edhe një numër mjaft të madh makinerish, të cilat u janë shkëputur objekteve, uzinave ose fabrikave të caktuara dhe vlera totale për të cilën janë shitur këto makineri është 1 milionë dollarë. Vlera e privatizimit të trojeve nën këto objekte është 12 milionë dollarë. Të dhënat zyrtare nuk saktësojnë siparfaqen e trojeve të privatizuara që ka qenë e mbuluar nga këto objekte. Numri i objekte, siç u tha, ka qenë i jashtëzakonshëm dhe trojet kanë vlejtur vetëm 12 milionë dollarë. Pronarët nuk kanë përfitur asgjë nga këto shoqëri dhe nga objekte shtetërore të privatizura gjatë këtyre viteve. Atyre, në asnjë rast nuk iu është ofruar fillimisht e drejta për ta blerë një ndërmarrje apo një objekt. Edhe ligji i kthimit dhe i kompensimit të pronave nuk i favorizonte aspak. Gjithashtu, Komisioni shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave u krijua nga parlamenti vetëm në vitin 2004. Parlamenti i asaj kohe kishte miratuar një strategji të privatizimit, pas së cilës ishin miratuar 31 akte ligjore dhe 133 (akte nënligjore) vendime të Këshillit të Ministrave. Të gjitha privatizimet e mësipërme janë kryer nëpërmjet kontratave të shitjes, domethënë, për këto privatizime nuk ka patur fare garë.