Xhafaj: Ngjarja në Gërdec, krim i përmasave të mëdha
Xhafaj tha se ndodhi një vrasje e lidhur me një korrupsion shtetëror
TIRANË- Ngjarja e Gërdecit përbën një krim të përmasave të jashtëzakonshme. Ky është vlerësimi që bën ish-ministri socialist i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Duke e analizuar çështjen jo thjesht nga ana politike, por edhe nga ajo juridike, sekretari për çështjet ligjore në PS, Xhafaj ka theksuar se humbja e 22 jetëve gjatë kësaj tragjedie, nuk mund të konsiderohet një vepër e thjeshtë penale, por një vrasje e shumëfishtë. "Në Gërdec ka ndodhur një krim i përmasave të jashtëzakonshme. Një krim që në Kodin Penal cilësohet vrasje. Një vrasje me jo pak, por deri tani me 22 jetë njerëzish dhe me dhjetëra të tjerë të dëmtuar rëndë e shumë të plagosur. Një vrasje e lidhur me një korrupsion shtetëror të përmasave të jashtëzakonshme. Një vrasje që duhet të hetohet si një krim për të cilin ka bashkëpunëtorë në cilësinë e organizatorit dhe ekzekutorëve", - tha Xhafaj. Gjithashtu Xhafaj nuk ka nguruar të cilësoj kryeministrin Berisha si përgjegjësin kryesor të kësaj ngjarjeje të rende që solli një bilanc tragjikë jetësh të humbura dhe dëmesh të shkaktuara. Sipas tij, kryeministri me veprimet dhe mosveprimet e veta ka favorizuar krijimin e një terreni të përshtatshëm për realizimin e një biznesi të pisët siç ishte ai që kryhej në fabrikën e demontimit në Gërdec. "Në krye të hierarkisë së kësaj strukture qytetare vrasëse është padyshim kryeministri i vendit. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij ka krijuar kushtet ligjore e administrative për krijimin e kësaj tragjedie. Ai me veprimet apo mosveprimet e tij nuk ka marrë masat e nevojshme që të parandalohet një krim i këtyre përmasave. Asnjë shqiptar nuk mundet të pranojë dhe besojë se kjo ngjarje erdhi vetëm për shkak se një Ministër Mbrojtje dhe strukturat poshtë tij nuk kryen mirë detyrat e tyre. Aq më tepër të pranojë se çdo kush është fajtor, përveç zotit Berisha", - tha Xhafaj. Ndërkohë lidhur edhe me çështjen e trafikut të armëve, sekretari socialistë, ka bërë të ditur se kryeministri Berisha ka pasur informacion të plotë për atë që ndodhte në Gërdec. "Partia Socialiste inkurajon Prokurorinë dhe i kërkon asaj të bashkohet me të vërtetën që tashmë është bërë pronë e publikut", - deklaroi Xhafaj.