E Diel, 1 Nëntor 2026

A janë shkarkimet tek Fakulteti i Gjuhëve të Huaja një hakmarrje e Dhori Kules për votimet për rektor?

Share

Para pak kohësh rektori i Universitetit të Durrësit internoi disa pedagogë, të cilët thanë se ai po hakmerrej pse ata i votuan kundër në zgjedhje. E njëjta hije dyshimi bie tani mbi Dhori Kulen. Dhe ta mendosh se kjo ndodh aty ku duhej të ishte elita e vendit

Prej disa ditësh një nga shqetësimet kryesore të medias së përditshme është shkarkimi i 28 pedagogëve të brendshëm të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Rektorati nuk ka dhënë ndonjë argumentim se përse e ka ndërmarrë këtë veprim, ndërkohë që mësohet se propozimi dhe vendimi janë marrë brenda të njëjtës ditë.

Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Klodeta Dibra thotë se është në rrezik viti akademik për 4 mijë studentë pas këtij vendimi arbitrar. Pedagogët e shkarkuar janë ankuar edhe tek ambasada britanike dhe ajo amerikane. Mësohet se një nga arsyet e këtij veprimi mund të jetë edhe fakti se Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i ka dhënë një mbështetje shumë të ulët Dhori Kules në votimet për rektor. Dekania Dibra thotë se nuk do ta besojë që kjo është një hakmarrje e Kule për zgjedhjet, duke nënkuptuar në fakt se kjo duhet të jetë arsyeja më e fortë.

Para pak ditësh një skandal i tillë shpërtheu edhe në Universitetin e Durrësit, kur disa pedagogë u internuan, pasi mendohej se kishin votuar kundër rektorit të ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›