Letra lufte mes ambasadores gjermane dhe botuesit të Hitlerit në shqip
Botuesi i Helgas Secrets Alfred Cako i është përgjigjur sot ambasadores Gjermane në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper. Para pak ditësh ambasadorja gjermane i shkruante në një letër publike kësaj shtëpie botuese shqiptare, ku i kërkonte nënshkrimin e një deklarate mosveprimi brenda 6 korrikut për heqjen nga qarkullimi të Lufta ime të Hitlerit. Holtkemper paralajmëroi që, në rast se botuesi nuk do të veprojë, Shteti i Bavarisë do të fillojë procesin gjyqësor për shkelje të së drejtës së autorit. Shekulli boton sot një letër-përgjigje të botuesit Cako dhe një intervistë të tijën. Unë do ta ndaloj riprintimin për shkak të logjikës ekonomike të tregut, e jo për shkak të autocensurës dhe vetëpranimit të inkuizicionit. Librin nga tregu mund ta heq blerësi ose një vendim i gjykatës. Ambasada Gjermane, shteti gjerman dhe shteti shqiptar nuk mund ta ndalojnë dot tregtimin e tij, thotë Cako
Lufta ime e Adolf Hitlerit u botua në shqip fillimisht nga Belina. H në mars 2012, dhe dhjetë ditë më vonë Helgas Secrets, hedh në qarkullim një përkthim të ri në tre vëllime. Botimi u shoqërua me mjaft komente në shtypin shqiptar, që në thelb shtronin pyetjen a është e shëndetshme për shoqërinë qarkullimi i ideve të autorit të Holokaustit. Ndoshta vetë Cako e ka tashmë një përgjigje (të hidhur!). Në pyetjen e gazetares: Si ka qenë ecuria në treg e librit? ai thotë: …Shumica e shqiptarëve ndjehen rehat me gjysmë të vërtetat e thëna natë e ditë për 70 vjet në veshët e tyre. Ata nuk duan të ndjejnë në timpanët e tyre asnjë melodi tjetër….