E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika qetëson botën: “Nuk do të lejojmë krizë për çmimin e bukës”



Një lajm i mirë vjen nga Amerika! “Nuk do të ketë rritje të çmimit të bukës”. Në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara janë munduar që të qetësojnë të gjithë opinionin botëror, të trembur me të drejtë këto ditë nga një rritje e mundshme e çmimeve të drithërave, çka mund të sillte edhe një krizë të re të çmimeve të ushqimeve për mbarë botën. Por deklaratat optimiste vijnë nga kreu i Departamentit Amerikan të Ushqimeve dhe Agrikulturës, i cili ka thënë se shtet e mëdha ose prodhuesit kryesorë të grurit në botë kanë rezerva të mëdha gruri dhe po t’i vënë në përdorim çmimi jo vetëm që nuk rritet më por mund të bjerë në minimum. “Situata aktuale që ka përfshirë Rusinë nuk do të ndikojë në rritjen e çmimit apo furnizimit të grurit në nivel global”,- ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” kreu i Departamentit Amerikan të Ushqimit dhe Agrikulturës. Ndërkohë një studim i Institutit Ndërkombëtar Kërkimor të Politikave Ushqimore, me bazë në Uashington D.C. thotë se, “pavarësisht se Moska zyrtare ka vendosur të ndalë eksportin e grurit duke filluar nga 15 gushti, nuk ka asnjë arsye për panik”. Ekspertët thonë se nuk do ketë rritje të çmimeve për mallrat jetike siç është për shembull buka. Kjo për faktin, se nëse vendet si Rusia, Kanadaja dhe India do të shënojnë një ulje të prodhimit të grurit, e kundërta do të ndodhë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën. “Është e vërtetë se Rusia është një nga furnizueset më të mëdha të grurit në botë- thotë analiza, -por nuk është e vetmja, ndaj, efekti në tregjet botërore nuk do të ndihet”. Po dje, Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Agrikulturës, uli parashikimet për të korrat e grurit me 2.3%, ku nga 650 milionë tonë që ishte pritshmëria, ajo u ul në 645 tonë. Megjithatë, kjo shifër, sipas zyrtarëve në proporcion me konsumin vlerësohet 26%, më e lartë se kriza që u pa në vitet 2007-2008, kur mungesa e ushqimit rriti çmimet e shkaktoi trazira. Ekspertët thonë se prodhimi aktual është 661 milionë tonë, vetëm tre për qind më i ulet se një vit më parë dhe me stoqe të mjaftueshme gruri, nuk duhet të ekzistojë rreziku për rritjen e çmimit të grurit dhe nënprodukteve të tij.

Shqipëria
Në Shqipëri, pas alarmit për rritjen abuzive të çmimit të bukës, si rezultat i rritjes së çmimit të miellit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë kontrolleve të ushtruara në 120 subjekte, të Tiranës dhe Durrësit evidentoi 20 subjekte që kishin rritur në mënyrë fiktive çmimin e bukës, nga ku në 27 subjekte u vendosen gjoba me vlerë 3.5 milionë lekë, si dhe u sekuestruan 10 ton miell i pashoqëruar me faturë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarrë një verifikim të hollësishëm në terren në subjektet e tregtimit me shumicë të miellit dhe furrave prodhuese të bukës. Sipas DPT-së, qëllimi i këtyre kontrolleve në rang kombëtar bëhet për verifikimin e çmimit të blerjes dhe shitjes së produkteve, pasi megjithëse çmimet e importit të grurit nuk kanë ndryshuar, në ditët e fundit është vënë re një rritje e çmimit të bukës në mënyrë abuzive. DPT-ja tha se këto kontrolle do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim uljen e evazionit fiskal dhe moslejimin e rritjes në mënyrë abuzive të çmimit të bukës. DPT-ja siguroi se do të marrë të gjitha masat administrative për ndëshkimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Madje, DPT-ja, i kujton konsumatorëve edhe numrin e vënë në dispozicion të tyre për çdo ankesë të vërejtur “0800 14 14”, në të cilin të interesuarit mund të telefonojnë falas, për të denoncuar rastet abuzive të ngritjes së çmimit të bukës.

Rritja
Duket se situata e krijuar me rritjen e çmimit të bukës në disa prej subjekteve tregtuese në vend është e përkohshme dhe ndaj abuzuesve po merren masa ndëshkuese. Pavarësisht rritjes lehtësisht të çmimit të bukës në disa furra në kryeqytet nga një vëzhgim i bërë në disa rrethe të vendit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në qytetin e Korçës, çmimi i bukës dhe masa e saj nuk ka ndryshuar. Kjo pohohet dhe nga vetë prodhuesit e bukës dhe konsumatorët. E njëjta situatë është edhe në qytetin e Elbasanit, ku qytetarët vazhdojnë të blejnë me të njëjtin çmim të gjitha llojet e bukës. Në qytetin e Fierit sipas burimeve në Drejtorinë e Tatim-Taksave mësohet se janë kryer inspektime në dyqane me pakicë dhe në furrat e bukës për çmimin, i cili nuk ka ndryshuar. Ndërkohë në një deklaratë për mediat dy ditë më parë, Drejtori ekzekutiv i Unionit të Tregtarëve Agroushqimorë shprehet se, parashikimet e prodhimit botëror të grurit, presin një rënie, e cila do të reflektohet dhe në çmimin e bukës.

FAO: Rezervat lehtësojnë krizën e drithit

Vende të ndryshme të botës janë përfshirë nga moti ekstrem. Pakistani, Kina, por edhe Afrika Perëndimore, janë prekur nga reshje shiu që kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të mëdha. Ndërkohë që Rusia është prekur nga temperatura të larta. E gjithë kjo situatë duket se po krijon një krizë globale për prodhimin e drithit. Gjendja në disa rajone të botës është emergjente dhe në disa tregje çmimi i drithërave është rritur, çka ka sjellë edhe shtrenjtimin e çmimit të bukës, por me gjithë gjendjen e vështirë, nga zyrtarë të OKB-së vijnë sinjale optimiste për të ardhmen. Eksperti i ekonomisë në Agjencinë e OKB-së për ushqimin (FAO) në Romë, Abdol Reza Abassian, ka deklaruar se gjendja e krijuar e krijuar mund të sjellë vështirësi serioze. "Kur flitet për rezerva ushqimi, rezervat e grurit që është ushqim i rëndësishëm, gjendja është emergjente në një vend të rëndësishëm ku prodhohen drithëra, Rusia, që do të thotë se shumë rezerva që u krijuan gjatë viteve, tani pritet që të konsumohen",- theksoi Abbassian, duke shtuar se do të ketë rënie të rezervave deri në fund të sezonit, deri në fund të vitit 2011. Ndërkohë, kjo gjendje ka sjellë edhe reflektim në treg dhe rënia e prodhimit të drithërave po bën që çmimet të rriten.

Investimet private, 51% më pak se një vit më parë

Bizneset në vend, sidomos ato ndërtuese, kanë përjetuar një situatë aspak pozitive për sa i takon aktivitetit të tyre dhe këtë e vërteton niveli i financimit publik që bën qeveria për projekte të ndryshme. Në të dhënat që paraqet Ministria e Financave, mësohet se niveli i investimeve kapitale publike ishte deri në fund të muajit korrik rreth 37 miliardë e 229 milionë lekë, ose gati 51 për qind më pak se viti 2009. Kujtojmë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, qeveria hapi me qindra fronte pune për biznesin, duke lidhur kontrata të reja, shpenzuar miliarda lekë, për faktin e vetëm se u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Shpenzimet e përgjithshme janë realizuar deri në muajin korrik 2010, në masën 202 miliardë e 588 milionë lekë dhe parashikohen të arrijnë në fund të vitit në masën 371 miliardë e 767 milionë lekë, me një reduktim prej rreth 9.5 për qind, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2010, ose në shumë absolute rreth 38 miliardë e 955 milionë lekë më pak. Ato janë parashikuar të përfaqësojnë rreth 30.3 për qind të PBB-së.

Dardha, destinacioni i përkryer për pushime mes gjelbërimit e freskisë

Dardha, një nga pikat turistike më të njohura në zonën e Korçës, vazhdon të mbetet fshati më i preferuar i sezonit veror nga turistët vendas dhe të huaj. Klima e favorshme dhe natyra e virgjër kanë bërë që kjo pikë turistike të frekuentohet nga shumë turistë, të cilët zgjedhin Dardhën për freskinë, ujin e ftohtë të burimeve dhe natyrën piktoreske. E ndërsa turistët shijojnë bukurinë e Dardhës, mes freskisë, gatimeve tradicionale dhe ndërtimeve karakteristike me gurë të zonës, pronarët e hoteleve dhe lokaleve thonë se ndryshe nga një vit më parë, këtë vit kanë konstatuar një rënie të dukshme të turistëve. Kjo pikë turistike mjaft e frekuentuar si në sezonin e verës ashtu edhe në dimër, ndodhet në një lartësi gjeografike impresionuese, mbi 1300 metra mbi nivelin e detit, por fare pranë qytetit të Korçës, ku ndodhen edhe zona të tjera turistike si Voskopoja.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›