A mund të bashkohen Kosova e Shqipëria?
Ardian Klosi
Është thuajse e pamundur të shoqërosh një gazetar a një intelektual tjetër çfarëdo të huaj që mos të të bëjë pyetjen: Mendoni se ka ndryshime të mëdha midis kosovarëve e shqiptarëve të Shqipërisë, ka prirje bashkimi të tyre, mund të realizohet dikur një Shqipëri e madhe?
Unë u përgjigjem të gjithave me jo: Nuk ka ndryshime të mëdha midis kosovarëve e shqiptarëve të Shqipërisë, shumë pak mund ta dëshirojnë një bashkim e për rrjedhim nuk ka për tu realizuar ndonjëherë Shqipëria e madhe.
Arsyeja është e thjeshtë dhe është krejt praktike. Dy vende ku jeton i njëjti komb bashkohen, dhe këtë na e tregon historia, në rastin kur njëri prej tyre ka administratë funksionuese, ka ecur përpara në rrugën e mirëqenies dhe dëshirohet e synohet prej pjesës së kombit që jeton në vendin më të varfër ose më të vuajtur. Kështu ndodhi bashkimi i dy Gjermanive më 1989-1990, po kështu kanë ndodhur bashkime në të kaluarën si ai i Italisë (nën kurorën e njërës prej mbretërive më të zhvilluara të Veriut, asaj të Savojës), kështu mund të ndodhin në të ardhmen, e zëmë nëse bije diktatura në Korenë e Veriut që vetiu pastaj do ti bashkohej asaj të Jugut. Madje edhe bashkimi i Hong Kongut me Kinën ndodhi pa dhimbje të mëdha në kohën kur Kina kishte hyrë pakthyeshëm në rrugën e modernizimit. E kundërta vërehet edhe më shpesh: një vend i varfër rrazbitet aq shumë nga tensionet e brendshme ose luftërat civile, saqë vjen një ditë dhe vendi ndahet sikurse ka ndodhur shpesh me vende afrikane, po sikurse ndodhi edhe me shtetin e sllavëve të jugut, i cili nuk mbajti asnjë shekull.
Njerëzit janë në thelb qenie materialiste, fundja si gjithë qeniet e tjera. Ata nuk janë në thelb qenie patriotike ose qenie nacionaliste. Për më tepër shqiptarët sot drejtohen në jetë nga vlerat thjesht materiale. Në këtë pikëpamje që është pikëpamja kryesore, nuk ka asnjë arsye pse kosovarët të mëtojnë të bashkohen në Shqipëri e shqiptarët e perëndimit të dëshirojnë bashkim me Kosovën. Të dy shtetet çalojnë, madje ky i perëndimit shqepon si mos më keq, duke munguar krejt në territore të mëdha sikurse në veri e verilindje. Kosovarëve u mjafton një vështrim mbi gjendjen e mjeruar të Shqipërisë së atyre krahinave, mjafton të kalojnë kufirin dhe të mos gjejnë një qytet për të qenë, u duhet të vinë deri në Shkodër ose Tiranë që të ndeshen me atë që quhet jetë urbane ose jetë e qytetëruar.
Një tjetër arsye, pranë kësaj, është imazhi i keq që kanë administratorët, qeveritarët përkëndej e përandej kufirit. Të dyja qeverive u tregohen histori korrupsioni galopant, shpesh me fakte, madje për ndërtim autostradash zgjedhin të njëjtën firmë që ushqen këto histori megakorrupsioni. Sidoqoftë primatin e mban këtu qeveria përkëtejit, kujtojmë vetëm se ajo mund të hedhë në erë qytetarët e saj për të zbërthyer municione të vjetra dhe askujt të mos i hyjë asnjë gjemb.
E pra, shqiptarët nuk do të donin që këta administratorë ta zgjeronin ombrellën mbi territore që do tu shtoheshin nën qeverim; përfytyroni një Shqipëri të qeverisur nga ish-komandantë të UÇK-së ose, mos o Zot, një Kosovë të administruar nga Berisha me familjen e tij dhe Bode me klanin e tij korçar.
Përjashtohet pra, për kushedi sa dekada që do të vijnë, një administrim i përbashkët i fateve të shqiptarëve përkëndej e përandej vargmaleve të verilindjes, një shtet i vetëm i tyre. U bë shpesh paralelja me murin e Berlinit sa kohë që shqiptarët e Kosovës jetonin nën shtypjen nacionaliste. Kur shtypja dhe muri ra, askush nuk tentoi për bashkim. Në teori është gjynah, sepse, jo më me shpenzime dyfishe, pra pa u dashë mbajtur dy qeveri, do mund të administroheshin pasuri të mëdha të një toke ku jeton një komb; kombi do të kishte një vijë të mirë bregdetare, do të bëhej zemra e Ballkanit e nyje kryesore ku do të kalonin qarkullimet Veri-Jug e Lindje-Perëndim, lidhjet historike të malësisë me ultësirat kontinentale dhe bregdetare do të gjallëroheshin, vetë respekti që do të gëzonte ky shtet i shqiptarëve do të ishte shumë më i ndryshëm nga qesëndi-keqardhja që mbizotëron sot te të huajt për dy gjysmat e tij gjysmake.
Gjynah është edhe që një kulturë e përbashkët, me të njëjtat fillesa, edhe pse sot me disa degëzime të larguara, nuk përfaqësohet nga disa pak qendra a institucione prestigjioze: një Akademi serioze Shkencash, me institucione për studimin e tokës, detit, kulturës së shqiptarëve, një Teatër i madh Kombëtar, një Bibliotekë e vërtetë Kombëtare, një Qendër kombëtare Kinematografie etj. etj.. Sepse kultura është një, dy shtetet e ndara e armike në shekullin e kaluar nuk arritën ta përçajnë atë, falë patriotizmit të kosovarëve, të shtresës intelektuale të rritur në Jugosllavi, asnjëherë nuk u kërkua aty zhvillimi i një kulture të veçantë, sanksionimi i një shqipeje të veçantë (çka nuk do të ishte aspak e vështirë po të ndiqej tradita e gegënishtes). Kjo ka sjellë sot pozitive që të mos ketë barriera kulture sikurse ka barriera administrate, por ka sjellë edhe dukuri negative sikurse njëfarë inferioriteti pritës që tregon Prishtina ndaj Tiranës, ku bëhen më të mira edhe botimet, edhe Panairet e Librit, edhe mediat ose bienalet e artit etj.
Në praktikë gjendja e dyshtetësisë është më e mirë për gjithë arsyet që thamë. Sidomos fakti që shteti i Kosovës është i kontrolluar e në njëfarë mase i garantuar nga prania e ndërkombëtarëve. Aty janë të papërfytyrueshme ngjarje si Gërdeci ose demonstrata e 21 janarit. Aty i është i papërfytyrueshëm vetëzbërthimi i shtetit siç ndodhi te ne nën Berishën më 1997. Aty është e papërfytyrueshme shitja e interesave të vendit ose shkatërrimi i monumenteve natyrore e të kulturës sikurse ndodh aktualisht në Shqipëri.
Por përtej këtyre arsyetimeve që mund të enden në rrafsh abstrakt, më intereson të kujtoj në këto radhë pamjen konkrete të Kosovës e të Shqipërisë sot, në një krahasim të shpejtë por që na tregon shumë. Më ka rënë rasti dy herë muajt e fundit të udhëtoj në Kosovë e nuk mund të mos i shohësh ndryshimet me Shqipërinë sapo që kalon kufirin.
Sapo që ndodhesh në Kosovë nis gjelbërimi dhe punimi i tokës. Ku nuk ka pyje, ato pemë të ulta gjethevogla që veshin kodrat njëra pas tjetrës, ka ara të punuara ose vreshta të shtrira në dhjetëra dynymë në mos hektarë. Edhe në qendrat më të vogla të banuara sheh njëri pas tjetrit shitësit e frutave dhe perimeve me arkat e tyre të sërënditura gjithë kujdes. Ndërsa në Shqipëri ku sheh fusha, sështë e thënë të jenë të punuara, madje sa më të mëdha këto fusha, si për shembull në brezat e shumtë të Myzeqesë, aq më djerrë janë ato. Aty e ndjen se sa rëndë e ka goditur Shqipërinë historia e kolektivizimit ekstrem bashkë me çorbën që u bë më mbas me pjesëtimet ose kthimet e pronave. Në Kosovë me sa kuptohet asnjëherë ska humbur tradita e punimit privat të arave të mëdha, këtu sikur nuk ekziston gjëkundi toka pa zot.
Edhe mënyra se si i ndërtojnë shtëpitë kosovarët është e përmbajtjur: këto shtëpi janë gjithmonë dy-trikatëshe dhe kanë gjithmonë një çati mbi krye. Ndërsa në Shqipëri është tipikevila e re gjigande, që mund të shkojë dhe pesë kate dhe të ngrihet mu në mes të arës ose vreshtit të dikurshëm. Shihni vetëm pamjen e fshatit të dikurshëm Lundër në të dalë të Tiranës kur shkon për nga Elbasani: gjithë shpatet e kodrave të veshura dikur me vreshta, janë mbjellë me këto të ashtuquajtura vila që i kanë likuiduar vreshtat njëherë e përgjithmonë (ndërkohë në dyqane vazhdon të shitet verë Lundra megjithëse hardhi nuk ka më).
Kjo mënyrë e qetë dhe e përmbajtur e trajtimit të tokës dhe e ndërtimeve që dallon provincën kosovare, të takon edhe në qytetet që kam shkelur, Prizren, Prishtinë. Këtu makinat ndalojnë rregullisht para semaforëve e sidomos u japin përparësi këmbësorëve. Edhe në vijat e bardha ose në kthesë të makinës përparësinë e ka këmbësori (aty ku tiranasit ose vlonjatët e trembur shohin se mos po u afrohet ndonjë makinë). Për çudi edhe boritë e kerreve nuk dëgjohen, sikur ua kanë hequr.
Herën e fundit u ndodha në Prishtinë në një ditë të diel. Asn