Miopi politike apo kurs i ri politik
Disa politikanë janë të prirë për të pretenduar se do të radhiten në listën e aktorëve që shkruajnë historinë e popullit të vet. Ata harrojnë se “mali do të dukej i ulët vetëm atëherë kur të arrijnë në maje”, por nëse mbeten rrëzë tij, maja mbetet e lartë, e pakapshme, ndërsa pretenduesit sado që fryhen e shtirren si të mëdhenj, mbeten të vegjël. Politikanët tanë shestojnë të jenë të mëdhenj, sepse në kandarin e tyre duken se janë të lindur për “vepra të mëdha”, por, në të vërtetë, kaçiku i tyre politik dëshmon për shtegtime ecejakeve të ulëta, ndërsa “majat” kërkojnë ngjyrime të njëmendta kombëtare dhe janë larg horizontit të tyre pamor.
Politika është art i të mundshmes, mbi të gjitha është reale, e kapshme, ndonëse edhe me premisa vizionare, nuk është ëndërrimtare dhe instrument i mendjeve që ëndërrojnë të pamundshmen, që kërkojnë shtigje me dritë qiriri në dritë të diellit, apo që dyfytyrësinë e plasojnë si faqebardhësi, hipokrizinë si ndershmëri, dështimet si suksese. Ky lloj arti në politikë i takon një regjimi që pretendon të ndryshojë çdo gjë përreth vetes, por assesi ta ndryshojë veten. Kur të arrijë këtë synim, pra të “mposhtë” popullin e vet, atëherë është i gatshëm për një “fillim” të ri, për një ideologji të re, vlera të reja. Në emër të demokracisë vendos kritere të reja, mendim uniform, entuziazëm në paterica, ndërsa shpërfillë vlerat e veçorive. Kështu ngjashëm ka qenë edhe në kohën e Greqisë Antike, Perandorisë Romake dhe perandorive të tjera që kanë pasuar dhe që kanë mbijetuar mbi shtyllat e argumentit të forcës dhe sistemit të imponuar të vlerave, me ndërtime kolosale, panteone, sheshe qytetesh përplot statujash etj.Të tillë janë ngritur dhe po ngrihen gjithandej edhe në Maqedoni, cep më cep shesheve, për të kapur për hunde fqinjët, për t’i hidhëruar. Nuk vlen më ajo fjalë e urtë: “Mos i hidhëro ata që duhet t’i lusësh”, kjo është bërë një sintagmë e tejkaluar, anakronike. Politikëbërja në disa pjesë të Ballkanit ka fituar premisa “bashkëkohëse”, që nuk njohin kodin e respektit dhe korrektësisë në instancë të fundit.
Në këtë kontekst të politikëbërjes ballkanase, këto rrethana të çuditshme që e kanë mbërthyer vendin, Maqedoninë, me fqinjin përplot pezëm, Greqinë, së cilës edhe më shumë po i skuqen vijat e kuqe, nuk e kanë lëkundur optimizmin e Brukselit se “tash është momenti që të zgjidhet kontesti me emrin”, edhe pse negociatat për këtë fare nuk ekzistojnë. Ndërmjetësi ndërkombëtar, Metju Nimic, ndonëse ka ftesë të hapur për të vizituar Shkupin, fare nuk përfillë një gjë të tillë dhe as që ka ndonjë paralajmërim për ndonjë nismë të re deri në këtë moment. “Luftëtari në kalë” apo Leka i Madh në sheshin e Shkupit do të jetë një sfidë e madhe si për Maqedoninë, ashtu edhe për partnerët në BE në rrugën eurointegruese të vendit. Po përflitet në qarqe të ngushta qeveritare se Brukseli i ka dërguar një shkresë qeverisë në Shkup me vërejtje se Leka i Madh në kalë duhet të hiqet nga sheshi, nëse vendi dëshiron të bëhet anëtare e BE-së. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky kolos nga bronzi tej mase i shtrenjtë do ta ketë edhe “jetën e dytë”, me të cilën do të duhet të përballet pushteti i këtushëm.
Optimizmi është opium për konstruksionin mental të politikanëve. Ndaj tij sidomos nuk janë imunë ndërkombëtarët, ata mbështesin politikëbërjen në këtë premisë. Përplot optimizëm ka qenë edhe raportuesi i Maqedonisë në Parlamentin Evropian, i cili “zbuloi” për skeptikët se “për çështjen e emrit po zhvillohen bisedime sekrete mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, madje se Maqedonia mund të marrë nga Këshilli i BE-së datën për fillimin e negociatave deri në fund të vitit, nëse deri atëherë zgjidh kontestin e emrit”, duke shtuar se kontesti mund të zgjidhet pikërisht atëherë kur më së paku pritet. Deklaratat kanë një logjikë bashkërendimi. Në Nju-Jork, nga fundi i shtatorit, gazetarët mbetën gojë hapur kur dëgjuan ministrin e jashtëm maqedonas se “zgjidhja e kontestit të emrit është e pashmangshme”. Po ky optimizëm merr krah edhe nga politikani më optimist shqiptar, Ali Ahmeti, i cili nuk ngurron të thotë se “kjo çështje do të zgjidhet në një të ardhme të afërt”. Në këtë kontekst, mbase mund të sqarohet ofensiva diplomatike e zv/kryeministres për eurointegrime, Teuta Arifi, e cila po realizon takime shumë të rëndësishme me diplomatë të huaj, që ndoshta do të japin rezultate konkrete. Arifi tashmë i di detajet. Çfarë rrobash do t’i qepen Maqedonisë, varet shumë edhe nga Brukseli. Aty po përfundon hedhja e vlerësimeve në Raportin për përparimin e vendit, që do të bëhet publik më 14 tetor. Edhe më tej rëndojnë reformat e papërfunduara, korrupsioni, gjyqësori, liria e medieve, së fundmi edhe incidenti i grupit të gazetarëve nga Shkupi në Bruksel.
Vjeshta në Maqedoni zakonisht sjellë tensione politike. Ka paralajmërime për atmosferë të nxehtë. Opozita, si maqedonase, ashtu edhe shqiptare, pret mbushjen e censusit të korrektësisë prej 100 ditëve të qeverisë së re, për të shpërthyer me artilerinë politike. Lideri opozitar maqedonas madje ka paralajmëruar rrëzimin e qeverisë me mjete demokratike, madje edhe në rrugë, sepse konsideron se kjo qeveri nuk ka kapacitet për të shëruar pesimizmin në rritje të popullatës. Në anën tjetër, disa grupime të vogla politike dhe shoqata joqeveritare shqiptare po bëjnë trysni me paralajmërimet për shënimin e 20-vjetorit të referendumit për Autonomi politike-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, që më 11-12 janar të vitit 1992 grumbulloi 365 mijë vota të shqiptarëve, të cilat ende ruhen si një kapital i fuqishëm politik. Shqetësime reflektojnë edhe tensionet në Kosovë. Ekziston frika e bazuar për sigurinë e Maqedonisë. Maqedonia është e lodhur në 20-vjetorin e themelimit të shtetësisë së saj. Ajo është e detyruar ta ndërrojë kursin politik dhe të flakë politikëbërjen shterpe.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”