A na duhen heronjtë
Në shkrimin e fundit, Për një histori pa heronj, i premtova lexuesit se do të shkruaj për temën e heronjve, a na duhen apo jo, pse na duhen, si na duhen, me një fjalë, cili duhet të jetë raporti ynë me ta? Kjo është një temë tejet e ndërlikuar, e cila ka të bëjë si me psikologjinë e individit, ashtu edhe me atë të masës dhe së cilës duhet ti qasemi duke iu referuar studimeve të antropologjisë mbi mitologjinë, religjionet të kryqëzuara me psikanalizën, veçanërisht atë jungiane, pa harruar historinë dhe duke pasur parasysh se këto bëjnë pjesë në kategorinë e shkencave historike – hermeneutike,… çka do të thotë se nuk janë shkenca ekzakte, por interpretative e, prandaj, askush smund të pretendojë të japë një përgjigje të vetme, aq më pak përfundimtare. Prandaj, çka do të përpiqem të argumentoj këtu është mendimi im mbi këtë temë në pikën që kam mbërritur deri sot. Madje, këtë shkrim e konsideroj një përpjekje për të thelluar edhe njohjen time mbi temën e heronjve.
Heroi dhe individi
Nëse do ti referohemi Jungut, nevoja jonë për heronj na buron nga arketipi i heroit që, së bashku me arketipin e nënës, babait, Zotit, animas (për meshkujt) animus (për femrat) e një miraidë arketipash, popullojnë sferën e asaj që ai e quan subkoshienca kolektive e një individi, që e trashëgojmë si një farë ADN-je të psikikës sonë. Sipas psikanalizës jungiane, që sipas meje është një nga interpretimet më të thella të psikikës njerëzore (ndonëse jo e vetmja dhe as shteruese), arketipat janë një tendencë e jona e lindur për ti përjetuar në një mënyrë të caktuar gjërat në nivelin psikik, ashtu siç janë instinktet një tendencë e jona e lindur për tu sjellë në një mënyrë të caktuar në nivel biologjik. Pra, për shembull, po të na vdesë nëna që në lindje, ashtu sikurse biologjikisht instinkti do të na çojë të kërkojmë një gji për të thithur, ashtu edhe shpirtërisht arketipi i nënës do të na shtyjë të kërkojmë një figurë femërore të na zëvendësojë nënën. Po kështu arketipi animas është pjesa jonë femërore subkoshiente (kur jemi meshkuj), animus është pjesa jonë mashkullore (kur jemi femra) që luajnë rol të rëndësishëm në raportet tona me partnerin. Arketipi i Zotit përfaqëson nevojën tonë për të kuptuar universin, për ti dhënë një kuptim tërë asaj që na rrethon, që ta shohim si diçka që ka një qëllim apo një drejtim. Sipas Jungut, janë arketipat ata që krijojnë mitet, fetë, idetë filozofike dhe prandaj këto i gjen në të gjithë popujt dhe në të gjitha epokat. Rreth origjinës së arketipave më duket më bindëse hipoteza se ata e kanë bazën në përsëritjen e vazhdueshme në shekuj të të njëjtave eksperienca njerëzore që kanë plazmuar psikikën e njeriut (e këtu kam rezerva ndaj teorisë së Jungut që arrin deri në ezoterizëm dhe misticizëm kur trajton arketipat).
Një nga arketipat më të rëndësishëm është ai i heroit. Është ky arketip që, prej thellave të subkoshiencës, na shtyn të kërkojmë heronj që të na inspirojnë duke shprehur kësisoj një nevojë tonën shpirtërore. Tërheqja emocionale që provojmë kur dëgjojmë apo lexojmë historitë me heronj shpjegohet me rezonancën që ato krijojnë në shpirtin tonë. Përpjekjet e heroit, që kapërcen frikëra dhe pengesa për të arritur qëllimin e tij, na shërbejnë si shtysa që të bëjmë të njëjtën gjë edhe ne, të çlirohemi nga ndrydhjet e të gjejmë kurajë në vetvete që të ndjekim atë shteg që na çon (dhe këtu i kërkoj lexuesit të përqendrojë vëmendjen) te realizimi i potencialiteteve tona, i vetvetes, që sipas Jungut, është tërësia e rrathëve të koshiencës dhe subkoshiencës. Mitet me heronj, pra, sipas Jungut, na shërbejnë si një manual autoterapie, rezultati përfundimtar i së cilës, për ata që dinë ti përdorin këto mite me sukses, është arritja e një mendjeje të ndriçuar, e një njeriu që e njeh vërtet vetveten. Këtë proces Jungu e quan individuim. Njeriu arrin vetërealizimin, sipas thënies së Niçes bëhu vetja jote, kur bëhet plotësisht koshient për subkoshiencën dhe arketipat që ruhen atje.
Shkurt, ne kemi nevojë për heronjtë, që të ndërgjegjësohemi se ata shprehin një nevojë tonën shpirtërore për tu bërë heronj të vetvetes. Dhe ky ndërgjegjësim është një proces që na çon në integrimin nga subkoshienca në koshiencën e arketipit tonë të heroit. Kurse për sa kohë idealizojmë dhe adhurojmë figura të jashtme, sbëjmë tjetër veçse projektojmë arketipin tonë të heroit te këto figura, duke mbetur larg njohjes së vetvetes, individuimit. Është e njëjta gjë me dashurinë. Kur ne provojmë atë që quhet dashuri me shikimin e parë, që na verbon, por që shumë shpejt edhe na zhgënjen, sipas Jungut, ne sbëjmë gjë tjetër veçse projektojmë animas/animus-in tonë te një femër/mashkull tjetër. Kurse, për të ndërtuar një lidhje të shëndoshë dashurie, ne duhet më së pari ta integrojmë në koshiencën tonë animas/animusin tonë, kurse tjetrin, të jashtëm, me të cilin lidhemi, duhet ta takojmë si një të ndryshëm, jo si dikë që na plotëson gjysmën e munguar dhe që, pastaj, na zhgënjen pasi ai/ajo nuk përputhet me animas/animus-in tonë. Kjo nuk do të thotë se sduhet ti provojmë këto ndjenja. Duhet të kemi guximin të hyjmë në xhungël, thotë Jungu. Nuk është kurrë aq i mençur sa duket ai që ska njohur çmendurinë, – thotë La Roshfuko. Por, për të arritur mençurinë duhet ti integrojmë në koshiencë kafshët që popullojnë subkoshiencën tonë, duhet ta forcojmë koshiencën, përndryshe janë ato që do të na e zotërojnë atë duke na mbajtur në çmenduri/skizofreni.
Pa e zgjatur, ideja është se kur piqemi, nëse jemi zhvilluar mirë, ne fokusohemi më thellë te vetvetja, çka do të thotë se me vetërealizimin, individuimin, njeriu diferencohet nga sjelljet kolektive, sepse çdo vetvete e realizuar, sipas Jungut, është e ndryshme nga një tjetër.
* * *
Për të kaluar te tema jonë, kur shkruaj për një historiografi pa heronj, kam parasysh në nivel të psikikës individuale, si pjekurinë e një autori që nuk projekton arketipat e tij të heroit te figurat që përshkruan, edhe atë të një lexuesi të pjekur. Sipas gjykimit tim, për arsye të shumta që kanë të bëjnë si me regjimin totalitar që kemi kaluar, që punonte, përkundrazi, për ta mbajtur njeriun të padiferencuar nga të tjerët, si me izolimin nga njohjet që kanë prurë, veçanërisht gjatë shekullit XX, filozofia, antropologjia, psikanaliza, njeriu shqiptar thuajse nuk e njeh këtë proces pjekurimi. Mosfutja e kulturës psikanalitike dhe psikoterapeutike edhe njëzet vjet pas rënies së totalitarizmit shfaqet sot me pasoja dramatike përsa i përket vetërealizimit të njeriut dhe shoqërisë shqiptare. Mbetja në një fazë papjekurie është një nga shpjegimet, sipas meje, pse shumica e shqiptarëve janë aq të ndjeshëm kur u preken heronjtë; se përse kur u thua disa të vërteta të padëshiruara mbi ndonjë figurë mitike të historisë sonë, si Skënderbeu apo Ismail Qemali, të sulmojnë sikur po i godet e fyen ata vetë, nganjëherë në mënyrën më irracionale (ndërkohë që të tjerë, më të lexuar, racionalisht mund ta njohin aspektin e tyre njerëzor, por nuk arrijnë ta bashkojnë atë me bëmat e tyre mbinjerëzore). Gjithë duke iu referuar Jungut, kjo tregon se ata kanë projektuar arketipin e heroit te kjo figurë, çka, me fjalë të tjera, do të thotë se ky arketip, si një kafshë e xhunglës së subkoshiencës që sarrin të gjejë qetësi pasi kjo sarrin ta njohë e tia kënaqë nevojën që shpreh, e turbullon koshiencën e tyre aq më dhunshëm sa më e pangopur që të jetë. Jo rastësisht, njerëzit, sa më pak të lexuar që të jenë, aq më të kapur pas heronjve janë.
Nga gjithë sa shtjellova deri këtu, shpresoj ta kem bërë të qartë përgjigjen time ndaj pyetjes së gazetares Xhunga drejtuar historianes Clayer: Pra, sipas jush, do të na duhet të çlirohemi nga simbolet dhe heronjtë në historinë tonë; nuk paskemi nevojë për to?. Përgjigjja ime ësh
