Kosova si e pavetëdijshmja e Shqipërisë
Agon Hamza
Është interesant të analizohet raporti i shqiptarëve të Shqipërisë me Kosovën. Jo pse ky raport duhej të ishte interesant në vetvete, por transformimi i këtij raporti përgjatë viteve e bën atë interesant. Në fakt, vetëm për gjërat interesante ia vlenë të mendohet. Filozofi Louis Althusser thotë se në filozofi, fillimi i vërtetë është fundi. Rrjedhimisht, të fillojmë nga fundi dhe ti hedhim kartat mbi tavolinë: në Shqipëri, ky fund ka dimenzionin e fillimit. Fillimi nënkupton një rifillim të raporteve me Kosovën. Një fillim që fundamentohet mbi një raport të çuditshëm: patronizimit absolut në raport me vendin.
Për shqiptarët e Shqipërisë (përveç disa përjashtimeve të ndershme, dhe një pjese tjetër të popullatës atje, që është tërësisht indiferente ndaj vendit tonë), Kosova paraqitet si objekti (si në psikoanalizë) nëpërmjet të cilit ata ndjehen mirë. Ky është dimenzioni klinik i këtij raporti shqiptaro-shqiptar. Kosova ekziston si vend objekt-shkaktar i dëshirës për nacionalizëm. Sepse, siç na thotë klisheja (dhe këtu duhet menduar se deri në çfarë mase kjo klishe është e vërtetë), shqiptarët e Kosovë janë nacionalistë, të pagdhendur dhe katundarë. Madje, në instanca të caktuara bëhen të pështirë, sidomos me atë që prej perspektivës së Tiranës perceptohet si admirim për Berishën, ndërsa bëhen palaço kur tentojnë të flasin gjuhën standarde shqipe. Dhe lista vazhdon tutje, me patriakalizmin, religjionin, e kështu me radhë.
Mirëpo, në këtë tekst dua të merrem me një dimenzion të caktuar të raportit të shqiptarëve të Shqipërisë në raport me Kosovën: atë të nacionalizmit. Si është e mundur që, pothuajse papritmas, shqiptarët e Shqipërisë (ose, një pjesë e tyre) filluan të na flasin për kombin, bashkimin kombëtar, e kështu me radhë? Ky shpjegim ka kuptim (prapë) në raportin që ndërtohet në mes të shqiptarit të Shqipërisë me atë të Kosovës. Thënë në termet e kritikës së ideologjisë liberale, shqiptari i Shqipërisë vet-përceptohet si i iluminuari, i/e cili/a nuk e ka barrën e nacionalizmit (apo, siç thuhet atje, atdhe-dashurisë) dhe tenton të bëjë një jetë mondane atë të cinikut postmodern, i/e cili/a e ka kuptuar brutalitetin e jetës dhe dashuria (si p.sh. ajo për atdheun) është tërësisht e pakuptimtë.
Në anën tjetër, katundari i Kosovës, në mënyrë patronizuese, glorifikohet si personi që e don vendin e tij, është patriot, etj. Ndonëse është katundar, ai e ka njëfarë dëlirësie në vetvete, njëfarë pastërtie që, siç na thonë, është për tu admiruar. Por, çka do të thotë kjo? Katundari atdhetar është fëmija i pafajshëm, e i padjallëzuar, përderisa shqiptari i emancipuar i Shqipërisë, në njëfarë mënyre e ka harruar dëlirësinë dhe është angazhuar në brutalitetin cinik të jetës. Në këtë mënyrë, angazhimi patriotiko-nacionalist i shqiptarit të emancipuar bëhet jo nëpërmjet vetës, por nëpërmjet Tjetrit, i cili supozohet të besojë (Lacan) në një kauzë. Në këtë mënyrë, shqiptari i Shqipërisë bëhet nacionalist nëpërmjet subjektit të supozuar nacionalist, domethënë, nëpërmjet atij/asaj që ai/ajo beson se është a priori nacionalist.
Duke e diagnostifikuar këtë raport si klinik, më lejoni të vazhdoj tutje me Freudin dhe konceptin e tij të kompenzimit. Në psikoanalizën Freudiane, kompenzimi është mekanizëm përmes së cilit individi në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme i mbulon dobësitë, frustrimet, dëshirat, ndjenjat, etj. Thënë ndryshe, kompensimi është mekanizëm psikologjik i mbrojtjes nga komplekset e inferioritetit, ndrydhjes ose më saktë, kompenzimi është mekanizëm i cili artikulon (në dimenzione të ndryshme) mungesën që e ka subjekti. Të bëjmë një paralele me teologjinë: objekt i teologjisë nuk është Zoti, por është besimi; por besimi nuk është kurrë besim i drejtpërdrejt në objektin. Subjekti beson nëpërmjet tjetrit, pra tjetri është garantues i besimit të tij. Në këtë mënyrë, subjekti beson në diçka (Zot, objekt, ideologji, etj) në mënyrë tranzitiv-logjike (tezën e besimit e zhvillon jashtëzakonisht mirë Slavoj Zizek mes tjerash edhe në librin The Fragile Absolute).
Në këtë mënyrë, ciniku i emancipuar i Tiranës tenton që me çdo kusht të besojë në nacionalizëm nëpërmjet katundarit të Kosovës, dhe në anën tjetër, praktikën e tij nacionaliste ta fetishizojë nëpërmjet po të njejtit katundarë. Sepse, në instancë të fundit, nacionalizmi është vetëm praktikë partikulare, ose praktikë e cila në përgjatë dhe në fund të ciklit të vet zhvillimor, nuk mund të univerzalizohet. Mbetet praktikë lokale dhe e izoluar dhe në ndonjë instancë tjetër, mund edhe të zhduket si e tillë, por kjo ka pak rëndësi. Në këtë linjë, këtu duhet hedhur një hipotezë tjetër, pikërisht rreth besimit: a nuk është krijimi i kauzave të reja, siç është praktika e nacionalizmit të ri shqiptar (të Shqipërisë), përpjekje për të legjitimuar ekzistencën (individuale ose kolektive të grupit)?
Kjo do të thotë që ekzistenca e një individi apo grupi nuk është politike për shkak të një kauze specifike në të cilën unë besoj por, unë duhet të rizbulojë kauza të reja përgjatë gjithë kohës, me qëllim të justifikimit apo përligjes së asaj që unë pretentoj ta quaj ekzistencë politike. Nëse më lejohet ta banalizoj pakës këtë tezë, atëherë mund të them se rizbulimi i kauzave (dhe jo idesë) e bën jetën goxha më interesante, apo jo? Në anën tjetër, filozofi Sead Zimeri propozon një lexim tjetër të delegimit të nacionalizmit tek shqiptarët e Kosovës. Ai e lexon këtë nëpërmjet konceptit të interpasivitetit (të zhvilluar jashtëzakonisht mirë nga Robert Pfaller): të qenurit interpasiv do të thotë ia delegosh tjetrit kënqësinë tëndë dhe pasivozohesh nëpërmjet tjetrit por, në mënyre aktive.
Edhe pse ti nuk je drejtpërdrejtë i përfshirë në aktivitetin e tjetrit, megjithatë ai të bën të ndjehesh mirë. Individi nuk është vet aktiv, por ai tjetri i cili është aktiv të bën aktiv në pasivitetin tënd. Ti ske nevojë të jesh drejtpërdrejt nacionalist, sepse mjafton që tjetri të jetë nacionalist për ty. Kleçka është se ti ndjehesh mirë. Ky është argumenti më i fuqishëm për implikim e individit në kauzat që ai në mënyre cinike u shmanget; në atë shmangie, ai dëshmon se është më besimtar dhe më i involvuar se vet aktorët, që në shumicën e rasteve janë thjeshtë të fabrikuar pikërisht për të kënaqur një spektaklet, që i vështron në mënyrë interpasive
Me rilindjen e nacionalizmit (të ri) shqiptar në Shqipëri, na konfirmuan një gjë që realisht, të gjithë në e dinim shumë moti: se qenkemi një komb. Për këtë konfirmim, rilindja e nacionalizmit nuk ka qenë aspak e nevojshme: sepse thjeshtë, këtë e dinim që moti. Por, kur na flasin me aq shumë kompetencë për Kosovën, gjërat fillojnë e komplikohen pakës. U rishpallëm vëllezër (e motra). Bukur shumë! E rizbuluam historinë. Na thonë se tani po (ri)fillojmë së dashuruari njëri-tjetrin, si duket, si kompenzim për kohën e humbur së bashku. Njejtë si dashnorët që janë në lidhje në distancë, kur takohen, duhen më shumë e kalojnë më shumë kohë bashkë. E për dallim nga dashnorët të cilët e njohin njëri-tjetrin mirë, neve na thonë se tashmë po rifillojmë të njohim njëri tjetrin.
Mirëpo, kur na flasin për teorinë e njohjes, këtu ekzotizohemi të gjithë. Pa përjashtim: të emancipuar e katundarë. Njohja e Tjetrit është gjithnjë shantazhuese: kurrë nuk mund ta njohësh tjetrin në tërësinë dhe thellësinë e tij. Si pasojë, krijohet distanca e vet-vetishme me tjetrin, e cila e mbulon vet njohjen. Në këso rastesh, afërsia është veloja që e mbulon rritjen e distancës. Kështu, ne bëhemi (apo, vetbëhemi) të emancipuar e katundarë. Por, nëse jemi një komb (siç, edhe jemi), atëherë pse duhet të rinjihemi me njëri tjetrin? Në këtë kontekst, lindë një problem tjetër: ndonëse jemi një komb, për shqiptarin e emancipuar të Shqipërisë, ne shqiptarët e Kosovës jemi kosovarë.
E gjithë kjo situatë bëhet goxha e lezetshme, pikërisht për shkak të paradokseve që ajo i shpërfaqë. Ne quhemi kosovarë nga bashkëkombasit tanë shqiptarë, njësoj siç quhemi nga strukturat neoimperialiste të instaluara në Kosovë (ICO, EULEX, KFOR, etj). Interpelimi në k