E Hënë, 2 Nëntor 2026

A po na e kthejnë shpinën?!

Ka rreth një vit që nga koha kur kam shkruar se pavarësia e Kosovës mund të mos ndodhë para vitit 2010. Në këtë përfundim kisha arritur bazuar në “binarët” që ishte venë procesi dhe rrugët që ishin ndjekur, po ndiqeshin dhe parashihej për t’u ndjekur deri tek zgjidhja e statusit të Kosovës. Mirëpo, nuk i kisha dhënë vetës të drejtën që në atë shkrim të “profetizoj” se kjo zgjidhje mund të mos ndodhë as para vitit 2020. Në fakt vitin 2020 shpesh e kam parashikuar si kohë të mundshme kur Kosova do të mund t’i bashkohej BE-së dhe NATO-së, si shtet i pavarur.
Megjithatë, dy propozimet e fundit, ai i treshes negociuse ndërkombëtare prej 14 pikave dhe propozimi amerikanë për ngrirje të procesit, mund të konsiderohen si rënie e ndonjë asteroid mbi shqiptarët. Shpesh kemi thënë se këto zgjidhje nuk janë të përjashtuara dhe se Kosova në fund të procesit mund të përballet me zgjidhje që ofrojnë perspektivë për pavarësi, por jo pavarësi të menjëhershme dhe që Serbisë do t’ia ndalonin praninë fizike në Kosovë, por jo edhe atë juridike. Por, çfarë janë këto dy propozime? A është kjo zgjidhja për të cilën pritëm dhe sakrifikuam afër 20 vite, e që tani na thuhet se duhet të presim edhe për më shumë se 10 vite të tjera? Është pyetje që duhet drejtuar në radhë të parë, edhe pse do t’i zë ngushtë, anëtarëve të Grupit të Unitetit që i kanë prirë këtij procesi.
Pse jo, pyetje mund t’u parashtrohen edhe, sidomos, “miqve” që na ndihmuan në çlirim dhe ecjen tonë këto tetë vite të pas luftës. Punuat ju, zotërinj, së bashku me neve, këto tetë vite që të arrijmë në këtë pat-potezë? Si mund të dorëzoheni kaq lehtë para shantazheve dhe presioneve të politikës ruse dhe asaj serbe, të cilat me së paku janë meritore për atë që ka arrit Kosova deri me tani? Ose, si lejuat që këto dy vende, të përfshira krejt në fund të procesit, të arrijnë t’ua prishin planet juve dhe qytetarëve te Kosovës për shtet të pavarur? Apo nuk jeni edhe ju të “nxehtë” që vërtet Kosova të jetë e pavarur? Ne e dimë që politika evropiane jo pak është fajtore për këtë dështim të perëndimit dhe për prishjen e planeve amerikane. Mos do të thotë kjo, se po ia ktheni shpinën krejt në fund, në finish të procesit, pavarësisë së Kosovës?
Machiavelli ka shkruar se, “luftë të shmangur s’ka, ajo vetëm mund të shtyhet për përfitime të të tjerëve”. Ndërsa ne do të themi se shmangieje nga pavarësia e Kosovës nuk ka, ajo vetëm mund të shtyhet për qëllime dhe interesa të të tjerëve. Brenda këtij përkufizimi duhet shikuar edhe dy zhvillimet me të fundit apo ofertat që kanë dalë në opinion për zgjidhjen e statusit të Kosovës,-atë evropiane për një zgjidhje bazuar mbi 14 pika dhe propozimin amerikan për ngrirjen e procesit. Edhe pse këto propozime duket se janë të ndryshme, në fund të fundit të dy palët kanë të përbashkët mos definimin e statusit të Kosovës ose mos adresimin e qartë të çështjes thelbësore.
Megjithatë, BE-ja ka paraqitur shumë mirë vizionin e saj politik për të ardhmen e Kosovës dhe amerikanët atë ekonomikë. Kur bëhen bashkë këto dy propozime, rezulton një propozim shumë i “mirë”, sipas tyre, i cili mund t’i ofroj Kosovës çdo gjë, por jo thelbësoren, shtetësinë e saj! Edhe evropianët, e edhe amerikanët, pse jo edhe rusët e serbët, e dinë se nuk mund të shmanget pavarësia e Kosovës, por insistojnë që ajo të shtyhet për disa vite! Nëse do të ketë shtyrje, lind dilema, se si shtetas të kujt do të na definojnë neve, qytetarëve të Kosovës? Si shtetas të Kosovës së pa shtet apo pa status juridik dhe sovranitet të pavarur dhe të njohur? Si shtetas të Serbisë apo të Ballkanit? Logjika thotë se ne do të jemi qytetar të pa identitet?
Megjithatë, këto propozime kanë edhe shpjegimin e tyre. Ato tregojnë qartë se në çfarë situate gjendet tani bashkësia ndërkombëtare dhe, se si ajo nuk e ka as idenë me të vogël, se si t’i jap zgjidhje statusit të Kosovës. Taktika diplomatike që po ndjek ajo për të ardhmen e statusit të Kosovës, është tendenca për t’i lenë palët në ndonjë lidhje mes vete, as të ndarë dhe as të bashkuar. Të 14 pikat e treshes, të cila po i modifikon, për të ardhmen e statusit juridiko-politik të Kosovës, nuk janë asgjë më shumë sesa bazë për raportin që duhet dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Ndërsa që edhe plani amerikanë nuk është asgjë me shumë sesa shpëtim i fytyrës, jo vetëm të saj, por edhe të Evropës, para këmbëngulësisë dhe refuzimit rus që t’u bindet kërkesave të perëndimit.
Nëse e citojmë përsëri Machiavelli, ai ka thënë se, “është e paarsyeshme të presësh që një njeri i armatosur t’i bindet njeriut të paarmatosur, ose që një i paarmatosur të mbetet i sigurt e i padëmtuar kur shërbyesit i ka të armatosur”. A nuk do të gjendeshin apo përballeshin me një gjendje të tillë sot Kosova dhe Serbia?,-nëse lihen në ndonjë lidhje? Si mund të presësh pajtim dhe ecje përpara të këtyre dy vendeve apo popujve mbi këto raporte?
Por, janë këto propozime të hartuara nga parapolitika apo janë konkluzione të nxjerra nga qëndrimet e palëve të paraqitura në negociata? As plani i parë dhe as i dyti, nuk është larg prezantimeve që kanë bërë palët. Në fakt ata vetëm sa po tentojnë që propozimet e palëve t’i shndërrojnë në një plan të përbashkët. Kujtojeni “Traktatin e Miqësisë” të palës kosovare dhe propozimin serbë që i ofron Kosovës “çdo gjë tjetër, përveç ulëses në OKB, politikës së jashtme dhe ushtrisë”,-dhe do ta vëreni se janë të përfshira brenda 14 pikave të treshes negociuse dhe propozimi amerikanë për statusin e Kosovës.
Në fakt ajo çfarë ndryshon në këtë rast është qasja e implementimit që treshja dhe amerikanët kanë menduar ta realizojnë, për dallim nga palët që propozojnë këto zgjidhje. Evropianët marrin si model Gjermanin e viteve të ’70-ta të shekullit XX, ndërsa jo shumë larg kësaj ideje, por duke u përshtat me shumë me modelet e avancuara ekonomike të vendeve pa sovranitet dhe juridiksion politiko-juridik të njohur ndërkombëtarisht si Hong Kongu apo Tajvani, është ideja e zgjidhjes së çështjes së Kosovës nga pala amerikane. A nuk tingëllojnë këto propozim-zgjidhje si tendencë për ta “palestinizuar” procesin politik në Kosovë, e që aq shumë i është ikur komentimit të këtij termi? Në fakt kjo ka qenë edhe ideja ruse e zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Nga kjo shihet se të dy palët, si evropianët dhe amerikanët po tentojnë të sjellin modelin me të “mirë” për tejkalimin e krizës apo status-quo-së në të cilën është futur Kosova. Që në fillim ka qenë e qartë se bashkësia ndërkombëtare do të përpiqet për të gjetur një kompromis të ri në brendinë e pakos së Ahtisarit. Ajo nuk lejon dhe as pranon të dalë e dështuar apo t’i atribuohet dështimi. Ata po tentojnë që kompromisin e arritur nga ish presidenti finlandez, Martih Ahtisari, ta dërgojnë me tutje, drejtë kompromisit apo kompromiseve mbi kompromiset. A duhet toleruar lojërat e tilla më tutje, apo udhëheqësit politikë të Kosovës duhet t’i ndalojnë, duke marr vendim pas 10 dhjetorit?
Nëse lidershipi i Kosovës nuk vepron pas 10 dhjetorit, ky kompromis apo këto kompromise do të vazhdojnë të kërkohen edhe me tutje përmes formave dhe propozimeve të ndryshme, ndoshta duke modifikuar propozimet që tani janë prezantuar. Nëse përcillet me kujdes logjika diplomatike e bashkësisë ndërkombëtare, vërehet se mund të jenë të kota deklaratat se nuk do të ketë shtyrje të re, pas 10 dhjetor. Shtyrje mund të mos ketë, por me keq se kaq, pezullim apo ngrirje të procesit deri në qetësimin apo ftohjen e gjakrave mes palëve.
Arritja në këtë përfundim lidhet me insistimin e Evropës që Kosova të prezantohet si një problem evropian, duke synuar t’i arrijnë dy objektiva: ta largojnë Rusinë nga e drejta për t’u përzier në këtë çështje dhe ta zmbraps ShBA-në nga insistimi i saj që në fund të procesit, me 10 dhjetor, Kosova të jetë e pavarur. Evropa me këtë, më shumë ka dëshiruar që duke tentuar të “godas” një shenjë të caktuar, Rusinë, të “godas” pikërisht shenjën që ka dashur më së shumti në këtë rast, ShBA-në.
Nëse Evropa i arrin këto synime, zgjidhja për Kosovën do të jetë evropiane dhe ne e dimë se çfarë janë këto zgjidhje! Janë zgjidhje gjysmake, që lenë hapësirë apo premisa për një krizë të re. Kujtojeni Bosnjën, Kosovën në vitin 1998/99, Luginën e Preshevës dhe Maqedoninë, për të parë suksesin dhe angazhimin evropian për zgjidhjen e problemeve.
Për të mos lejuar të ndodhin zgjidhje të tilla, Kosova duhet të bëhet gati të veprojë e para. Ndryshe të presësh pëlqimin e Qipros për ta njohur vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi, është gati e njëjta gjë, sikur të presësh nga xhelati të ta falë jetën. Evropa i “vlerëson vetëm ata që janë të armatosur mirë ose janë të gatshëm të paguajnë”, por jo edhe ata që nuk janë në këtë gjendje. A janë të gatshëm shqiptarët të paguajnë ende për pavarësinë e tyre?
Evropa duhet të kuptojë, nëse nuk e ka kuptuar, se duhet të godas drejtë e në problem dhe të mos i sillet rreth e rrotull, duke u munduar të “shkoqë” nga të dy palët diçka ose siç thonë, të dy palëve “t’u plotësohen dhe mohohen nga 50% të kërkesave”. Kjo nuk është zgjidhje! Mos definimi i problemit nuk është zgjidhje! Zgjidhje është që pas 10 dhjetorit Kosova të njihet shtet dhe në të njëjtën kohë t’i bëhet e qartë Serbisë se nuk guxon të ndërmerr hapa që detyrojnë NATO-në të godas përsëri. Vetëm sinjalet e tilla e qartësojnë problemin dhe i japin zgjidhje atij. Ish presidentin amerikan, Xhon Kenedi, në përballje me ish udhëheqësin rus, Hurushovin, kishte deklaruar se, “ne nuk e duam luftën, por atë po na e kërkojnë. Ne e duam paqen, por nuk do të dorëzohemi për shkak të saj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›