AAK: Nuk guxon të cënohet uniforma e shtetit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur indinjatën e thellë për arrestimin e dy policëve të Kosovës. Në një deklaratë për shtyp AAK-ja ka theksuar se ky veprim armiqësor i qeverisë serbe vjen si pasojë e nënshtrimit të vazhdueshëm të qeverisë së Kosovës, e cila në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e Kushtetutës dhe mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit, del me deklarata të çuditshme dhe bajate, gjoja për Serbinë evropiane dhe se gjoja Serbia e paska pranuar Pavarësinë e Kosovës.
"Pozita inferiore dhe nënshtruese e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lejuar që vendit tonë t`i vritet polici, t`i arrestohet polici dhe, mbi të gjitha, të përdhoset uniforma e shtetit të Kosovës", thuhet në deklaratën e AAK-së.
AAK kërkon, në radhë të parë, "lirimin e menjëherëshëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës, të arrestuar në territorin e Republikës së Kosovës".
AAK kërkon nga Qeveria e Kosovës "që të mos bëjë analizë politike por të ndërmarrë veprime praktike dhe të drejtpërdrejta në mbrojtje të shtetit dhe dinjitet të tij".
"AAK kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të rishikojë pozicionin e shtetit serb në proceset integruese, duke qenë dëshmitarë se politika e vjetër e Beogradit nuk ka ndryshuar, dhe e cila është në kundërshtim me parimet demokratike të BE-së", thuhet në deklaratën e AAK-së.