E Diel, 1 Nëntor 2026

AAK kritikon vonesën e zgjedhjes së drejtorëve në Gjilan

Kryetari i degës së AAK-së në Gjilan, Ahmet Isufi, ka thënë se vonesa e deritanishme e zgjedhjes së drejtuesve të drejtorive komunale në Gjilan, ka paralizuar jetën institucionale në këtë komunë, duke e dëmtuar kështu në rend të parë interesin e qytetarëve gjilanas.

“Moszgjedhja e deritanishme e organeve qeverisëse është treguesi më i mirë për atë që kemi thënë edhe gjatë zgjedhjeve të fundit, se kryetari i zgjedhur i komunës nuk e di rolin e vet. Konsiderojmë se Gjilani ka humb një shans që të ketë një kryetar i cili ka një autoritet të plotfuqishëm në zgjidhjen e problemeve në komunë”, ka thënë Isufi, transmeton KosovaPress.

Sipas tij, me vetë faktin se kryetari dhe partia e tij janë në kundërshtim lidhur me propozimet e tyre për listën e drejtorëve të nivelit komunal është treguesi më i mirë që zgjidhja po kërkohet në nivelin qendror, gjë që bie ndesh me vullnetin e qytetarëve të komunës së Gjilanit.

Isufi e ka rikujtuar kryetarin e komunës së Gjilanit se duhet ta dijë që i zgjedhur është nga qytetarët gjilanas dhe llogarinë e jep para tyre, e jo para shefit të tij, apo para partisë në nivelin qendror.

Isufi ka kritikuar qeverisjen komunale edhe për zënien e hapësirave publike si rezultat i mosfunksionimit të institucioneve. Sipas tij, zaptimi i hapësirave publike po bëhet në qendër të qytetit, duke i favorizuar ata të cilët e kanë mundësuar fitoren e Mustafës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›