E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK përkrah rezolutën e PDK-së

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka përkrahur dje rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësues të saj, edhe sot kanë shfaqur qëndrimin që AAK-ja, nuk do të luaj rolin bllokues si parti opozitare, por do të jetë përkrahë siç i kanë quajtur ata proceseve të dobishme. Ky subjekt politik i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të prolongoj procesin e shitjes së Distribucionit të KEK-ut, deri në krijimin e kushteve më të favorshme.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Haki Shatri, gjatë një konferencë për media të mbajtur ditën e martë, ka folur për procesin e privatizimit të Distribucionit të KEK-ut, por është pyetur edhe për përkrahjen e rezolutës së PDK-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me përkrahjen e rezolutës së PDK-së, Shatri ka thënë se AAK do të përkrahë proceset që janë të dobishme për vendin.

“Unë mendoj që kjo pyetje duhet t’i drejtohet shefi të Grupit Parlamentar. Grupi Parlamentar i diskuton këto çështje në kuadër të Grupit parlamentar dhe ju do të keni rast të shihni cili është pozicioni i Aleancës në kuvend. Vetëm dua të ju them Aleanca nuk është parti për shkak të pozitës që e ka në opozitë dëshiron me frenuar proceset qoftë të mira, qoftë të këqija. Ne i dallojmë proceset dhe ato që i janë të dobishme për vendin ne i përkrahim. Proceset të cilat i konsiderojmë jo të dobishme për vendin kërkojmë të ndalemi të bisedojmë dhe të gjejmë rrugëzgjidhje”, ka theksuar Shatri.

Për më tepër, ai ka shtuar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me cilindo shtet është i mirëseardhur.

Ndërkohë edhe kur pritet që së shpejti të nënshkruhet kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit Limak-Çalik për shitjen e Distribucionit të KEK-ut, Shatri kërkon që të prolongohet ky proces.

“Aleanca i bënë thirrje Qeverisë që mos të nxitoj me nënshkrimin e kontratës të shitjes së Distribucionit, por të rishqyrtoj procesin dhe të marr masat e nevojshme për forcimin institucional të rregullatorit për energji, forcimit organizativ të kompanisë operuese dhe liberalizimit të tregut. Prandaj, Qeveria duhet të marr masa paraprake për aftësimin profesional të kompanisë, eliminimin e korrupsionit brenda kompanisë, eliminimin e keqmenaxhimit me asetet dhe paranë publike në kompani të luftohet dukuritë negative, nepotizmin dhe dobësitë e tjera organizative”, ka thënë ai.

Ndërkohë, javën e kaluar kur ka dal në votim mocioni i opozitës, që parashihte pezullimin e procesi të privatizimit, nuk e ka gjetur përkrahjen e AAK-së, pasi shumica e deputetëve të kësaj partie kanë abstenuar.

AAK-ja konsideron se me këtë shtyrje do të krijohej hapësirë për t’u eliminuar këto parregullsi dhe nuk do të dëmtohej shumë buxheti i Kosovës. Shatri çmimin e shitjes prej 26.3 milion euro, e ka vlerësuar si një çmim dukshëm nën çmimin real të kompanisë dhe çmim nënçmues. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›