E Diel, 1 Nëntor 2026

AAPSK: 7 mijë m² tokë e konfiskuar në Tiranë, hapësirë për strehimin e kafshëve të braktisura

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Rreth shtatë mijë metra katrorë tokë e konfiskuar në rrethinat e Tiranës synohet të vihet në shërbim të strehimit dhe kujdesit për kafshët e braktisura.

Nisma është ndërmarrë nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), me synim krijimin e hapësirave të përshtatshme për organizatat që merren me mbrojtjen e kafshëve.

Sipas AAPSK-së, prona mund të përdoret për ngritjen dhe zhvillimin e strehëzave, duke krijuar kushte më të mira për sistemimin, trajtimin dhe mbrojtjen e kafshëve në nevojë.

Deri tani, një organizatë ka shprehur interes konkret për përfitimin e pronës, ndërsa disa organizata të tjera kanë kërkuar informacion mbi sipërfaqen, kushtet dhe procedurat për vënien e saj në përdorim.

Nevojat për hapësira të reja për strehimin e kafshëve u evidentuan edhe gjatë një vizite në një prej strehëzave në Tiranë, ku u njohën nga afër vështirësitë me të cilat përballen organizatat dhe personat e angazhuar në kujdesin ndaj kafshëve të braktisura.

AAPSK bën të ditur se, me mbështetjen e saj, hapësira e re synohet të vihet në shërbim të më shumë kafshëve në nevojë.

Nisma synon që një pronë e konfiskuar të marrë një funksion të ri me interes publik, përmes përdorimit të saj në mbështetje të komunitetit dhe organizatave që veprojnë në fushën e mbrojtjes së kafshëve.

AAPSK bën të ditur se do të vijojë komunikimin me organizatat e interesuara për përcaktimin e kushteve dhe mënyrës së përdorimit të pronës, si dhe për hapat e mëtejshëm të projektit.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›