E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra procedura të reja për trojet dhe ndërtimet pa titull, deri në 300 m2 pa pagesë

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Procesi i formalizimit të pronës për ndërtimet pa titull, trojet funksionale dhe oborret në përdorim do të zhvillohet me procedura të lehtësuara, pas ndryshimeve të reja në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 827/2020.

Sipas Kadastrës Shqiptare, një nga risitë është mundësia e trajtimit të pasurive në bllok, sipas blloqeve kadastrale. Kjo mundëson kryerjen e verifikimeve në terren për disa pasuri njëkohësisht dhe synon të shkurtojë kohën e procedurave.

Po ashtu, lehtësohen edhe kostot për qytetarët. Në rastet kur procedura nis kryesisht nga ASHK-ja, për objektet me funksion banimi nuk do të aplikohet tarifa prej 3 mijë lekësh për ndërtimet pa leje dhe 10 mijë lekësh për objektet pa titull, trojet funksionale dhe oborret në përdorim.

Ndryshimet përcaktojnë gjithashtu rregulla më të qarta për sipërfaqet e trojeve funksionale dhe oborreve në përdorim për ndërtimet e ngritura para vitit 1991.

Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, miratimi i dokumentit të pronësisë për
sipërfaqen e truallit funksional deri në 300 m2 bëhet pa pagesë në rastet kur trualli është në pronësi shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë pavarësisht nëse në këtë sipërfaqe ka dhe ndërtime pa leje që lidhen
me vetë subjektin.

Sipas Kadastrës, përcaktimi i sipërfaqes do të bëhet duke marrë në konsideratë nevojat reale të ndërtimit dhe kuadrin ligjor që ka qenë në fuqi në kohën e ndërtimit.

Ndryshimet synojnë përshpejtimin e formalizimit të pronës dhe rritjen e sigurisë juridike për qytetarët.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›