E Diel, 1 Nëntor 2026

AC Milan e kërkon Xhemailin!“Është e vërtetë se e kërkon Milani, por nuk kemi nënshkruar ndonjë kontratë”, tha për “Lajm”, babi i Blerim Xhemailit

RESHAT IBRAHIMI (Shkup) - Blerim Xhemaili është shumë pranë kontratës me klubin gjigant të Seria A të Italisë, AC Milan. Ekskluzivisht për “Lajm” një informacion të tillë e ka bërë të njohur babai i Blerimit, Fekredin Xhemaili. “Ka shumë oferta për Blerimin në prag të afatit kalimtar të dimrit. Aktualisht janë tre nga klube të Italisë, një nga Gjermania dhe disa të tjera nga Anglia”, shprehet fillimisht ai.

Në pyetjen nëse janë të vërteta pohimet se për të është i interesuar AC Milan, ndaj të cilit Blerimi kishte bërë një paraqitje të jashtëzakonshme kur rezultati kishte përfunduar 2:2, ai është përgjigjur pozitivisht. “Është e vërtetë se e kërkon Milani, por nuk kemi nënshkruar ndonjë kontratë”, tha ai.

Ngjashëm nga ai, edhe vetë Blerim Xhemaili ka pohuar se është afër hapit gjigant. “Jam duke kaluar ditët më të mira në kampionatit italian. Nëse vjen deri te ndonjë ndërrim i skuadrës, atëherë do të nënshkruaj vetëm me ndonjë klub të madh, i cili do të luaj në Ligën e Kampioneve. Më pëlqen të qëndroj në Itali edhe pse varet nga kushtet që do të ofrohen”, tha Blerim Xhemaili. 

Megjithatë, sipas babait të Blerimit edhe nëse vjen deri te ndonjë marrëveshje paraprake, kalimi përfundimtar do të ndodhë në merkaton e verës. “Fillimisht Torino do të blejë kartonin e Blerimit dhe pastaj do ta shesë atë. Por deri në fund të kampionatit Blerimi do të qëndroj në këtë klub edhe pse mund të bëjmë ndonjë kontratë paraprake”, tha Fekredin Xhemaili.

E Premte, 19 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›