Canaj pranon: Dua Nevil Deden

Mikel Bizhyti (Gazeta Sporti)- Ecuria pozitive nuk e bën aspak euforik, por përkundrazi e mban me këmbë në tokë. Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj falë eksperiencës që ka në drejtimin e skuadrave shqiptare është i bindur se edhe në krye të kuqebluve do t’i duhet shumë punë për të arritur objektivin kryesor që është titulli kampion. “Është shumë herët për të folur për titullin. Deri tani jemi në rrugë të mbarë, por rruga bëhet edhe më e vështirë sidomos pas merkatos së janarit. Të gjithës kundërshtarët do të përforcohen dhe vetëm atëherë mund të flasim për suksese. Ajo që më takon të them për momentin është se çdo ndeshje e kemi vlerësuar dhe do ta vlerësojmë maksimalisht për të marrë tri pikët”, thekson Canaj.
Kaluat një tjetër pengesë të fortë, këtë herë në kupë siç është Teuta. Tani Vllaznia është një superskuadër apo jo?
Superskuadër? Është e tepërt. Vllaznia është një skuadër me këmbë në tokë dhe duhet të qendrojë shumë fortë aty ku e ka vendin. Sa për durrsakët mund të them se ishin një kundërshtarë shumë të fortë që na krijuan shumë vështirësi. Gjithsesi futbollistët treguan forcë dhe karakter dhe i’a dolën, në një terren shumë të rënduar nga shiu që na shoqëroi në të dyja ndeshjet.
Ndodheni në vend të parë në kampionat. Rastësi, apo meritë e Vllaznisë?
-Nuk flitet për rastësi, por për merita dhe kjo është e dukshme. Askush nuk është treguar bujar me ne. Por ajo që vlen për mua është ecuria e mëtejshme. Kemi derdhur shumë djersë për të arritur të parët, për të mos folur edhe për mungesat e shumta nga dëmtimet.
Katër pikë më shumë se Tirana. Tani jeni më të sigurtë, të paktën deri në fund të vitit apo jo?
-Asgjë nuk është e sigurtë. Tani gjërat janë vështirësuar më shumë, pasi diferenca në pikë mund të vënë edhe në gjumë. Nëse do të ndodhte kjo, do të ishte e rrezikshme për ne.
Ndeshja e rradhës, ndaj Bylisit. Skuadra e shkodranit Hysen Dedja është e fortë në fushën e saj..
Një betejë shumë e fortë ashtu si dhe betejat e tjera që kemi kaluar. Trajneri Dedja po bën një punë shumë të mirë me skuadrën dhe në Ballsh nuk thyhen lehtë.
Mungesat vazhdojnë, një tjetër dhimbje koke për ju...
E vërtetë. Dëmtimet e shumta po na mbajnë në ankth, por si gjithnjë edhe këtë herë jemi me sytë nga infermieria. Shpresojmë për ndonjë sinjal pozitiv rikuperimi. Mbrojtësin Beqiri nuk do ta kemi, ndërsa Sinanin mund ta përfshijmë në skuadër.
Sulmi sërish me modifikime?
As këtë nuk mund ta them që tani. Nëse do të na duhet do të vazhdojmë sakrificat për të një sulm sa më efikas.
Pika më e dobët e Vllaznisë?
Çdo skuadër ka problemet e saj. E rëndësishme është që pikat e saj të dobta të jenë sa më pak të dëmshme. Jam i kënaqur me futbollistët, të cilëve i është dashur të sakrifikojnë shumë për të arritur rezultate pozitive.
Kujt rivali i’a ka frikën Canaj?
Frikë nuk kam asnjë rival, ndërsa kujdes duhet bërë ndaj të gjithve. Tirana ka një skuadër cilësore dhe për mua është një rivale shumë e fortë, por nuk mund të lë pa përmendur Dinamon, Teutën, Elbasanin e ndonjë skuadër tjetër. Nuk duhet harruar se pas janarit gjërat do të jenë edhe më të vështira si për ne edhe për skuadrat e tjera.
Bardheblutë tani drejtohen nga Agustin Kola. Cili është ndryshimi sipas jush?
Nuk mund ta di ndryshimin, por duke njohur Kolën mund të them se gjërat te Tirana do të ndryshojnë pozitivisht. Ai është një njëri me grintë dhe pasion të jashtëzakonshëm për futbollin. Të njëtën gjë do të kërkojë edhe te Tirana.
Vllaznia kampione e dimrit. Sa do të ndikojë kjo?
Nuk jemi ende kampionë të dimrit. Ka edhe dy ndeshje, e më pas flasim. Janë 6 pikë në lojë dhe vetëm nëse ne i marrim ato atëherë do të jemi përsëri në krye. Sa për ndikimin sigurisht që do të ketë morale për futbollistët.
Të flasim pak për merkaton. Sa nevojë ka Vllaznia?
Nevoja ka çdo skuadër. Është shumë pozitive të kesh lojtarë sa më cilësorë në skuadër, të cilët e bëjnë edhe më të sigurtë rrugën drejt një objektivi të caktuar. Gjithçka qendron te mundësia që ke për të marrë lojtarët që do. Të mos harrojmë se është e vështirë të gjesh ata që ne si trajnerë kërkojmë. Në kampionatin tonë nuk ka shumë të tillë, por edhe nëse ka janë të impenjuar me skuadrat e tyre, kështu që mundësia më e madhe është tregu i huaj.
Nevil Dede është përfolur si përforcimi i Vllaznisë në merkaton e janarit. Sa gjasa ka të ndodhë kjo?
Ndoshta edhe mund të ndodhë, pasi kontakte me të ka pasur nga drejtuesit e klubit tonë. Unë nuk mund të them asgjë më shumë, pasi nuk është në dorën time. Kjo i takon presidencës dhe veçanërisht presidentit Valter Fushaj.
Afrimi i mbrojtësit do të ishte një plus i madh për Vllazninë apo jo?
Natyrisht. Çdo trajner do të donte ta kishte në skuadër një futbollist të tillë me klasin dhe eksperiencën e Dedes. Unë personalisht do ta dëshiroja shumë ta kisha te Vllaznia.
Sa e aftë është Vllaznia të luftojë në dy fronte për trofetë e sezonit?
Të them të drejtën është shumë e vështirë, të paktën deri tani. Mungesat e shumta, por edhe nevoja për afrimin e ndonjë lojtari na i vështirëson shumë gjërat në të dyja frontet. Ndoshta pas janarit do të flasim ndryshe. Por edhe me probleme kemi ditur të arrijmë suksese dhe i fundit ishte ai me Teutën, ditën e mërkurrë dhe tani jemi në çerekfinale.
GAZETA SPORTI
E Premte, 19 Dhjetor 2008