ACIT: Defiçiti tregtar ulet më 2010
Gjatë vitit 2010, Shqipëria ka arritur të ulë defiçitin tregtar me 26 për qind dhe të sigurojë eksporte në vlera monetare, në masën 161 miliardë lekë. Qendra për Tregtinë e Jashtme, ACIT, prezantoi dje raportin për tregtinë e jashtme gjatë vitit 2010. Raporti konfirmoi vitin pozitiv në kuptimin e rritjes së volumeve të këmbimit dhe të rritjes së eksporteve në veçanti, por edhe të uljes së defiçitit tregtar. Këmbimet tregtare të Shqipërisë gjatë vitit 2010 u rritën me 20% dhe kjo rritje ishte përkatësisht 11.4% për importet dhe 55.7% për eksportet. Eksportet shqiptare për vitin 2010 arritën vlerën 161 miliardë lekë, vlera më e lartë historike që kanë shënuar ndonjëherë. Sipas ekspertëve të ACIT, rritja e eksporteve i detyrohet kërkesës së jashtme, rritjes së çmimeve në bursa, por në një masë të caktuar edhe dobësimit të lekut në kursin e këmbimit me valutat kryesore. Rritja e eksporteve kontribuoi në uljen e defiçitit tregtar në vlerë absolute dhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Defiçiti tregtar ndaj prodhimit të brendshëm në vitin 2010 ra në 26%, nga 28.7% që ishte në vitin 2009. Viti i mbarë i eksporteve solli rritje në një tjetër tregues të rëndësishëm, mbulimin e importeve nga eksportet, që u rrit në 33.5%, nga 24% që ishte një vit më parë. Në tërësi, rritja e volumit tregtar të vendit përmirësoi indeksin e hapjes së ekonomisë, që mat volumin e tregtisë me jashtë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Indeksi i hapjes së ekonomisë për vitin e kaluar ishte 52.3%, me një rritje vjetore prej 4.6 pikësh përqindjeje. Rritja e eksporteve shqiptare është një tregues i zhvillimit të ekonomisë së vendit. Eksperti i ekonomisë, Artan Hoxha, tha dje se kjo rritje pritet të vazhdojë dhe të reduktojë më tej defiçitin tregtar. Sipas Hoxhës, prej më shumë se një viti që eksportet shënojnë rritje, zhvillimin më të konsiderueshëm e ka regjistruar grupi i materialeve të ndërtimit, një industri që po konsolidohet në vendin tonë. Eksperti Hoxha shprehet se për një vazhdimësi të rritjes së eksporteve shqiptare, nevojitet një inkurajim i mëtejshëm i biznesit, me anë të politikave qeveritare. Gjatë muajve në vijim, Artan Hoxha thotë se pritet një ulje më drastike e deficitit tregtar, pasi me daljen në treg të produkteve bujqësore vendase do të ulen importet ushqimore.