Kasat, qeveria jep 2.3 milionë USD për rimbursimin
Shtatë komuna dhe tre bashki që kanë arritur të mbyllin procesin e rimbursimit të kasave fiskale dhe taksimetrave dhe kanë paraqitur dokumentacionin përkatës pranë qeverisë dhe kanë arritur të marrin paratë e zbritura si taksa vendore. Qeveria me një vendim të ditës së djeshme miratoi kalimin e 237 milionë lekëve në llogari të këtyre njësive vendore. Kreu i qeverisë e konsideroi këtë çështje si mjaft të rëndësishme dhe gjatë fjalës së tij theksoi se secili nga biznesmenët që ka instaluar pajisjen fiskale, brenda afatit do të marrë rimbursimin dhe po kështu edhe të gjithë ata që kanë blerë takismetrin. Edhe njëherë ai nuk ka nguruar t’i quajë këto pajisje si pasaporta biometrike për biznesin. Vendimin për të rimbursuar pajisjet fiskale dhe taksimetrat qeveria e morri në dhjetor të vitit të kaluar ku bashkive dhe komunave iu la si detyrë që të zbrisnin detyrimin e takës vendore të biznesit si rimbursim për kasën. Kjo në atë kohë krijoi panik tek vendorët, të cilët u shprehën se do të falimentonin pa këto të ardhura, por nga ana e qeverisë u premtua rimbursim i të gjithë fondeve që do të bëheshin si zbritje taksash dhe kështu edhe po veprohet. Paratë që kanë shkuar për tre bashkitë dhe shtatë komunat dje, janë përballuar nga fondi i kontigjencës në buxhetin e shtetit dhe është lënë si detyrë për t’u zbatuar nga Ministria e Financave.