USAID: Projekte të reja në 6 muajt e ardhshëm
USAID do të rrisë mbështetjen për ekonominë shqiptare, me projekte të reja gjatë vitit në vazhdim. Drejtori për Shqipërinë, Joseph Williams tha dje gjatë prezantimit të raportit të ACIT për Tregtinë e Jashtme, se ndihma e USAID do të përqendrohet në projekte që rrisin besimin e investitorëve dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. “Në gjashtë muajt e ardhshëm, ne do të angazhohemi në shumë projekte të reja, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe forcimin e besimit të investitorëve tek ekonomia shqiptare. Vëmendje të veçantë do të ketë mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme, sepse ato janë shtylla kryesore e punësimit në çdo ekonomi. Projekte do të ketë edhe për infrastrukturën, energjinë e pastër, për tregun e Teknologjisë së informacionit dhe për forcimin e mbikëqyrjes bankare. Gjithashtu, do të vazhdojmë të japim mbështetje për reformën rregullatore dhe për eliminimin e mëtejshëm të barrierave jotarifore në ekonomi”, u shpreh Williams. Zëvendësministri i Jashtëm, Selim Belortaja, tha se për biznesin është thelbësore të ketë informacion të plotë dhe të saktë, në kushtet kur tregjet po bëhen gjithnjë e më konkurruese. Pikërisht për shkak të boshllëqeve të mëdha që ka Shqipëria në informacionin statistikor dhe analitik, USAID, mbështet që prej vitit 2002, Qendrën Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, ACIT.