ACR do ndertoje nje aks te ri ne minieren e Bulqizes

Austriakja DECOmetal planifikon të investojë në minierën e kromit në Bulqizë, duke besuar në përmirësimin e tregut të ferrokromit dhe duke përmbushur kështu një nga kërkeat e grevistëve të cilët ndikuan edhe më shumë në humbjet e kompanisë një vit më parë. Roman Lurf, Shef ekzekutiv i DECOmetal e cila ka në pronësi dhe njësinë e kromit në Shqipëri, të njohur si ACR, u shpreh se kompania do të investojë më shumë se 15 milionë dollarë për të ndërtuar një aks të ri në Bulqizë në një uzinë pasurimi në Klos.
Ai ka shpjeguar se aksi do t’i japë minierës një jetëgjatësi prej 20 vjetësh më shumë si dhe do të sigurojë vende të reja pune. Aksi do të jetë 600 metra I thellë dhe do të përmirësojë prodhimtarinë në minierë. Ai shtoi se kompania shpresonte në një rimëkëmbje në tregun e ferrokromit. ACR shpreson se tregu do të rimëkëmbet në pjesën e fundit të vitit 2012 ose të paktën në fillim të vitit të ardhshëm. Miniera e kromit ACR në Bulqizë, zona më e pasur e kromit në Shqipëri, përdoret për të prodhuar ferrokrom për tu shkrirë më pas në Elbasan. Ndërtimi i aksit të ri ishte gjithashtu dhe kërkesa kryesore – së bashku me rritjen e pagave – e minatorëve që u futën në grevë vitin e kaluar.
Ekipi që do të merret me ndërtimin e aksit pritet të vijë gjatë muajit tetor nga Kina, ndërsa punimet do të nisin në muajin nëntor për një kohëzgjatje të parashikuar prej 18 muajsh. Aktualisht galeritë në Bulqizë kanë një thellësi prej 824 metrash. Duke iu referuar shkrimeve të medias për një shitje të mundshme të ACR-së, Lurf tha: “Aktualisht ne nuk po kërkojmë të shesim kompaninë”.