E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat ne Shqiperi kalojne pozitivisht testimin

Testimi i shëndetit të sistemit bankar të kryer nga Banka Shqipërisë në kuadrin e raportit të fundit të Stabilitetit Financiar tregon se, në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të forta makroekonomike. Ndjeshmëria është më e lartë në skenarët që parashikojnë ngadalësim të rritjes ekonomike dhe nënçmim të kursit të këmbimit. Sektori dhe banka të veçanta, shfaqin nevojën për kapital shtesë, kryesisht në skenarin e rënduar. Stres-testet ndërtohen mbi dy skenarë, njëri bazë dhe tjetri i rënduar. Skenari bazë mbështetet në parashikimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë mbështetur kryesisht në ecurinë e tyre historike. 
Skenari i rënduar supozon një situatë më të vështirë, me një probabilitet të ulët ndodhjeje, duke u mbështetur në tre goditje të mundshme në ekonominë shqiptare, në drejtim të ngadalësimit të kreditimit, rritje të normave të interesit dhe zhvlerësim të lekut. Skenari bazë për këtë vit parashikon një rritje ekonomike 1.7%, një rritje të portofolit të kredisë me 8.5%, çmim të lehtë të lekut ndaj euros dhe dollarit me 0.9% dhe mosrritje të normave të interesit të tregut. Sipas këtij skenari bazë, përqindja e kredive me probleme në fund të vitit do të jetë afërsisht në vlerat aktuale. 
Për vitin e ardhshëm, skenari bazë supozon rritje më të lartë të ekonomisë dhe të portofolit të kredisë, por të shoqëruara edhe një rritje të normave të interesit në tregje dhe një çmim shumë të lehtë të lekut ndaj valutave të huaja. Në këtë rast, parashikohet se përqindja e kredive me probleme do të pësonte një rënie të lehtë nga vlerat e tanishme. Ndërsa në rastin e skenarëve më të rënduar kreditë me probleme do të shkonin në rritje domethënëse,  por këta skenarë kanë pak gjasa të ndodhin, të paktën gjatë këtij viti.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›