E Diel, 1 Nëntor 2026

AFP: Europa e lodhur nga Shqipëria. SOT- dy vjet nga zgjedhjet e kontestuara

Agence France- Presse

Sot dy vite pas zgjedhjeve të kontestuara parlamentare në Shqipëri, europianët janë të lodhur nga kriza më e gjatë politike në dy dekada në këtë vend ballkanik.

Europianët janë të lodhur nga Shqipëria. Është në dorë të Tiranës që të marrë përsipër përgjegjësitë, i tha një diplomat nga Brukseli AFP-së, duke përmbledhur qëndrimin e Bashkimit Europian, ku Shqipëria pretendon të anëtarësohet në një të ardhme të afërt.

Nuk po shoh që situata po përmirësohet, tha Komisioneri për Zgjerimin i BE, Stefan Fyle.

Kjo situatë u provokua kur Partia Socialiste e drejtuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, pretendoi për manipulime elektorale dhe kërkoi një rinumërim të votave të hedhura në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009.

Demokratët në pushtet, të udhëhequr nga Sali Berisha, kanë hedhur poshtë në mënyrë të vazhdueshme kërkesat e opozitës, e cila ka bojkotuar parlamentin përpara se një delegacion i pjesshëm të kthehej në Kuvend.

Çdo palë zgjedhje në Shqipëri që pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 90 është shoqëruar nga akuzat për manipulim.

Albert Rakipi i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, një trupë kërkimore jo qeveritare thotë se ka pak shenja për kompromis.

Kjo do të dëmtojë perspektivë evropiane të vendit, shtoi ai.

Shqipëria ka thënë se dëshiron të marrë statusin e kandidatit për në BE në fund të këtij viti.

Por ndërsa kriza vazhdon, shumë vendime kyçe që kërkojnë tre të pestat e votave në parlament janë të bllokuara për shkak se mungojnë ligjvënësit e opozitës.

Këtu përfshihen ligje për reformat në gjyqësor e në ekonomi si lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, të kërkuara nga Brukseli si parakusht që Shqipëria të bashkohet me bllokun.

Përpjekjet e Europës dhe Shteteve të Bashkuara për të ndërmjetësuar krizën kanë dështuar pa ndonjë rezultat dhe Berisha e Rama kanë ruajtur pozicionet.

Në janar kriza u bë e dhunshme kur katër persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën në një përplasje në një protestë antiqeveritare në kryeqytet.

Disa po përfitojnë nga kriza, ndërkohë që janë raportuar nga media një numër ndërtesash ilegale të ngritura së fundmi, përfshi ato në brigjet e Adriatikut.

Komuniteti ndërkombëtar ka shpresuar se zgjedhjet lokale të 8 majit do të ishin një shans për Shqipërinë për të treguar maturitet politik. Por si zakonisht, numërimi i votave u kontestua në disa zona, përfshi Tiranën.

Kryebashkiaku në detyrë, Edi Rama, i shpallur fitues i garës për kryebashkiak, u rrëzua nga froni pas një numërimi të dytë votash.

Rama ishte shpallur fitues me vetëm 10 vota, por disa rinumërime të votave të hedhura në kutitë e gabuara të votimit, që në fillim ishin konsideruar të pavlefshme, i dhanë fitoren me 95 vota Bashës.

Rama pretendon se rezultati është manipuluar dhe se procesi është ilegjitim.

Europa insiston në një reformë të plotë të sistemit elektoral shqiptar. Opozita megjithatë refuzon edhe që ta marrë në konsideratë këtë çështje derisa autoritetet të njohin Ramën si kryebashkiak të Tiranës.

Është e kuptueshme që një reformë e plotë e kodit zgjedhor është e nevojshme dhe duhet të kryhet në bashkëpunim mes mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, tha Fyle para Parlamentit Europian. Kjo do arrihej vetëm nëse partitë politike… gjejnë një mënyrë për të folur me njëra- tjetrën. Retorika konfrontuese vetëm sa do rrisë tensionin në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›