“Freedom House”: Kriza politike, pengesë për në BE

Organizata “Freedom House”, e cila mbështet ndryshimet demokratike, monitoron gjendjen e lirisë dhe mbështet demokracinë dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën, publikoi raportin e vitit 2011 për vendet në tranzicion.
Një nga përfundimet e raportit është se ndërsa vende si Kroacia dhe Serbia kanë vazhduar të bëjnë përparim gradual në reformave që kanë të bëjnë me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, disa vende ballkanike, si Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë shënuar hapa prapa përsa i përket disa kritereve të nevojshme në rrugën drejt anëtarësimit.
Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se vendi nuk mundi të fillojë negociatat për statusin e vendit kandidat në BE, ngaqë nuk arriti të përmbushë disa përparësi të nevojshme për një vend demokratik. Pengesë në këtë aspekt, thuhet në raport, u bë kriza e vazhdueshme politike lidhur me hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009.
Në raport thuhet se një arritje për Shqipërinë ishte dhënia për qytetarët e saj te lirisë së lëvizjes pa viza në vendet e BE-së. Por raporti thekson se klima e politizuar pas zgjedhjeve të vitit 2009 vazhdoi të ndikojë në axhendën politike të Shqipërisë në vitin 2010.
Në raport thuhet se garantimi i sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit mbeti një sfidë për Shqipërinë: reforma juridike vazhdon të mbetet e papërfunduar dhe nuk është bërë përparim në rishikimin e disa prej ligjeve më të rëndësishme. Miratimi i këtyre ligjeve, nënvizon raporti, u ndikua rëndë nga mungesa e pranisë në Parlament të Partisë Socialiste.
Përsa i përket medias “Freedom House” thotë ato kanë përparuar përsa i përket teknologjisë, po karakterizohen nga mungesa e transparencës dhe varësia e gazetarëve tek pronarët e tyre. Ndërsa për i përket korrupsionit, në raport thuhet se ai vazhdon të mbizotërojë në të gjithë sektorët e jerës në Shqipëri, duke ndikuar negativisht tek zhvillimi ekonomik i vendit dhe konsolidimi i institucioneve demokratike edhe pse gjatë vitit 2010 pati përpjekje pozitive për përfundimin e legjislacionit për të luftuar korrupsionin, dhe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive.
Në raportin e organizatës “Freedom House”, thuhet se kandidatura e Shqipërisë për në BE do të rishqyrtohet në vitin 2011 dhe përparësia e vendosur nga BE për vendin janë dialogu mes klasës politike për miratimin e ligjeve të mbetura pezull dhe që kërkojnë bashkëpunimin mes palëve.