AGPK: Të papranueshme ndërhyrjet ndaj gazetarëve

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (AGPK) dënon ashpër aktin e lëndimit të dy gazetarëve, gjatë protestës së punëtorëve të PTK-së.
“Pjestarët e Policisë së Kosovës, në tentim për të mos lënë punëtorët e PTK-së të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, kanë lënduar Saranda Ramën, gazetare e TV Koha Vision dhe Arton Mulliqin, gazetar i RTV 21. AGPK i konsideron të papranueshme ndërhyrjet e tilla ndaj gazetarëve. Po ashtu, AGPK iu bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të veprojnë urgjentisht ndaj kryesuesve të këtij akti dhe marrjen e masave përkatëse për ta”, thuhet në deklaratë.
AGPK shprehet se sulmet ndaj gazetarëve, në përpjekje për të mos i lejuar ata që ta kryejnë punën e tyre, dërgojnë sinjale jo të mira, në kohën kur Kosova vazhdon të jetë në situatë të pafavorshme, përsa i takon lirisë së shtypit dhe të shprehjes.