A/H1N1, 70 persona të prekur vetëm për këtë vit

Gripi i derrit po vijon të prekë shumë persona në vendin tonë. Vetëm për vitin 2010 pra në këto pesëmbëdhjetë ditë kemi rreth 70 persona të infektuar të konfirmuar me gripin e derrit.
Ndërsa 2009 u mbyll me një bilanc prej rreth 400 personash të infektuar nga ky virus aktualisht numri ka shkuar në rreth 470 të prekur. Ky është vetëm numri zyrtar, pasi sipas ministrisë së shëndetësisë ky numër është shumë herë më i madh kjo për faktin se në këtë periudhë janë marrë shumë pak mosta të cilave u janë bërë analizat laboratorike.
Viktima e fundit është një 64-vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej një muaji në sanatorium. Ai mbahej me oksigjen në reanimacionin e spitalit "Shefqet Ndroqi". Ndërkohë që aktualisht në gjendje të rëndë por stacionerë ndodhen tre persona të infektuar.
Ndërkohq ndryshe nga çfarë ishte parashikuar, pas një bilanci të Institutit të Shëndetit Publik, numri i personave që kanë pranuar të vaksinohen në vendin tonë është shumë i vogël në krahasim me dozat e shpërndara në qendrat shëndetësore. Sipas drejtorit të ISHP, Alban Ylli nga 9 mijë doza të shpërndara nëpër poliklinika vetëm 5 për qind e tyre janë përdorur. Kjo do të thotë se më pak se 400 persona kanë aplikuar vaksinën e A/H1N1 në një kohë kur virusi i gripit të derrit po rrit bilancin e viktimave.