A/H1N1; Greqi, mbyllen edhe dy shkolla
Numri i shkollave të mbyllura deri tani në Athinë ka mbërritur në katër, ndërsa pritet në ditët e ardhshme edhe vendimi për dy shkolla në Mudhania të Halkidhikisë
Virusi i gripit A/H1N1 ka prekur rreth 6 fëmijë në 4 shkollat e Athinës, Greqi. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë mbyllur edhe dy shkolla të tjera, pasi u konstatuan raste të reja fëmijësh me virusin e gripit të derrave. Menjëherë autoritetet greke kanë urdhëruar ndërprerjen e mësimit në këto dy shkolla për rreth një javë. Autoritetet shëndetësore kanë këshilluar fëmijët të mbajnë një xhel për larjen e duarve në mënyrë të herëpashershme.
Situata
Disa shkolla të Greqisë janë nën alarmin e përhapjes së sëmundjes së virusit A/H1N1, pas konfirmimit tek një shkollë private të 6 rasteve, ndërsa 56 nxënës kanë munguar duke deklaruar se kanë shfaqur shenjat e gripit. Tek shkolla tjetër u shfaqën 5 raste të konfirmuara dhe 42 me simptomat e virusit A/H1N1.
Dy shkolla të tjera, Kolegji Amerikan i Greqisë në lagjen “Agjia Paraskevi” dhe Instituti Edukativ Greko-Amerikan në lagjen “Psiqiko” të kryeqytetit grek janë mbyllur dje për shtatë ditë me vendim të prefektit të Athinës, pasi janë shfaqur raste me gripin e derrit.
Kështu, numri i përgjithshëm i shkollave të mbyllura deri tani në Athinë ka mbërritur në katër, ndërsa pritet në ditët e ardhshme edhe vendimi për dy shkolla në Mudhania të Halkidhikisë, vetëm 56 kilometra nga Selaniku, ku janë shfaqur simptomat e virusit A/H1N1 tek një gjimnaziste dhe tek vëllai i saj 5-vjeçar.
Organet greke të shëndetit presin valën e madhe të pandemisë në fund të muajit tetor, ndërsa këshillojnë njerëzit të mos krijojnë panik, duke deklaruar se ndjekin me vëmendje gjendjen në 12500 shkolla të vendit.
Sipas Ministrisë të Shëndetësisë, pas dy javëve do të fillojë në vend vaksinimi i grupit të personave që konsiderohen si më të prekshmit ndaj gripit. Deri më tani në Greqi janë konfirmuar zyrtarisht 2228 raste me virusin A/H1N1, 80% e të cilave kanë qenë pacientë të moshave deri në 30 vjeç.
Virusi
Me fillimin e shkollës shumë vende të botës i druheshin akoma më shumë përhapjes masive të virusit A/H1N1. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shumë instanca të tjera të rëndësishme u vunë fre frikës së krerëve të këtyre vendeve, duke i këshilluar ata për mënyrën e menaxhimit të situatës. Ishte vetë OBSH që me vendimet e saj sugjeroi që shkollat të mbylleshin sipas situatës dhe rasteve që do të kalonte secili vend.
Tiranë
Libër terapie për fëmijët me sëmundje të rënda
Në mjediset e QSUT-së është shpërndarë ditën e djeshme një libër që u vjen në ndihmë fëmijëve të sëmurë, prindërve të tyre dhe stafit mjekësor. “Një libër për ju dhe fëmijën tuaj” është titulli i këtij libri që do të trajtojë psikologjikisht fëmijët e sëmurë.
Ky libër është publikuar nga qendra “Fëmijët sot”, në bashkëpunim me pavijonin e pediatrisë, i cili trajton mënyrën e bashkëpunimit mes kësaj kategorie fëmijësh prindërve dhe stafit mjekësor. Veçanërisht, botimi i kushton rëndësi përgatitjes dhe trajtimit psikologjik të fëmijëve me sëmundje të rëndë.
Gjermania, Shqipërisë
Një milion euro për “Mbrojtjen e shëndetit nga ndryshimet klimatike”
Qeveria gjermane do të financojë 1 milion euro për projektin për “Mbrojtjen e shëndetit nga ndryshimet klimatike”. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka zhvilluar dje një takim me ambasadorin gjerman në Tiranë, z. Bernd Borchardt, dhe zëvendësambasadorin z. Jan Rudolph. Z. Borchardt ka vënë në dukje interesin e mjaft kompanive private gjermane për të investuar në fushën e prodhimit të medikamenteve mjekësore në vendin tonë, por edhe në mjaft fusha të tjera të shëndetësisë.
Dy personalitetet kanë rënë dakord për fillimin e një projekti për binjakëzimin e QSUT-së me klinikën e Mynihut “Grosshadern”. Ministri Vasili vlerësoi se një marrëveshje e tillë mes Ministrisë sonë të Shëndetësisë dhe asaj Gjermane do të jetë një hap përpara si në trajnimin e personelit spitalor në vendin tonë, ashtu edhe në realizimin e reformës në shëndetësinë shqiptare.