Berisha takon biznesmenët kosovarë: Lehtësi investimi në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha priti dje një delegacion të biznesit të Kosovës, të kryesuar nga Agim Shahini, president i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ku u bisedua për rritjen e bashkëpunimit mes palëve. Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i problemeve që kanë të bëjnë me rritjen e fushave të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, heqjen e të gjitha barrierave që lidhen me procedurat, kohën, lehtësinë e bërjes biznes. “Domosdoshmërinë e njehsimit ekonomik, - tha zoti Shahini, - e përshpejtoi edhe rruga Durrës-Kukës, që rriti në mënyrë të papërshkrueshme fluksin e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve. Mbështetja ekonomike nëpërmjet kësaj rruge, - shtoi ai, - forcohet edhe më tepër me lehtësirat e lëvizjes së mallrave nga deti, që do të ofrojë porti i Shëngjinit, i quajtur tashmë porti i Kosovës. Kryeministri Berisha tha se qeveria e tij është shumë e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për të zgjeruar hapësirën ekonomike të bashkëpunimit midis dy vendeve, si interesi më i mirë i çdo shqiptari.