Presidenti Topi, të vihet para drejtësisë vrasësi i mjekut
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dënoi dje ngjarjen e rëndë ku u vra mjeku radiolog i spitalit të Durrësit, Fatmir Thaçi. “Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe hidhërimin për ndarjen në mënyrë tragjike nga jeta të të dashurit tuaj, e cila iu ndërpre barbarisht teksa kryente detyrën fisnike në shërbim të qytetarëve shqiptarë! Rënia në krye të detyrës e çdo njeriu, aq më shumë e një mjeku, është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, për kolegët dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë, të cilët mbështesin bluzat e bardha në misionin e tyre të përditshëm altruist në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së të gjithëve”, - thuhet në mesazhin e Presidentit të shpërndarë nga zyra e shtypit. Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit shqiptar kërkon me forcë që autori i këtij akti të dhunshëm e të pashpirt të vihet sa më parë para drejtësisë, duke marrë dënimin e merituar. “Me cilësinë e Presidentit të Republikës, por edhe si qytetar, u bëj thirrje dhe nxis të gjitha strukturat shtetërore që të vendosin sa më parë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje, që ka tronditur mbarë opinionin publik. Reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi të pashembullt do jetë përgjigjja më e mirë që i jepet çdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës, por edhe mirënjohja për atë që u flijua me vetëmohim, teksa kryente këtë detyrë fisnike e aq njerëzore”, - shkruan në mesazhin e tij kreu i shtetit, Bamir Topi.
Kryeministri Berisha
Vrasja e mjekut, akt i shëmtuar
Kryeministri Sali Berisha dënoi aktin e vrasjes së mjekut radiolog, Fatmir Thaçi. “Vrasja e një prej pjesëtarëve të bluzave të bardha është akt i shëmtuar dhe tronditës. Autori duhet të marrë dënimin maksimal për krimin e kryer”, - thuhet në reagimin e Kryeministrit. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, tha se Kryeministri Berisha ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të merren të gjitha masat e duhura për të garantuar jetën e veprimtarinë e punonjësve të shëndetësisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që ndaj autorit të këtij akti të rëndë kriminal, të japë dënimin më të ashpër ligjor.
Ministria e Shëndetësisë
Policia të sigurojë jetën e mjekut
Ministria e Shëndetësisë dënon ashpër vrasjen e mjekut radiolog, Fatmir Thaçi, në mjediset e spitalit rajonal të Durrësit, duke e cilësuar si akt të shëmtuar dhe tragjik. “Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes së doktorit Thaçi për humbjen e njeriut të tyre të dashur, sot është një ditë e rëndë për të gjithë komunitetin mjekësor, pasi një mjek goditet në mënyrë kriminale në momentin e ushtrimit të detyrës së tij”, - deklaroi në një prononcim për shtyp zëdhënësja e kësaj ministrie, Alisa Demollari. MSH i kërkon “organeve të drejtësisë të veprojnë me të gjithë rreptësinë e ligjit ndaj autorit të këtij akti kriminal shumë të rëndë, që ka traumatizuar të gjithë opinionin publik dhe në mënyrë të veçantë komunitetin e gjerë mjekësor”. Gjithashtu, MSH i kërkon Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të mbështesin intensivisht dhe të marrin masa të menjëhershme për garantimin e një sigurie të plotë për paprekshmërinë e mjekëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
PS
Vrasja, ngushëllime familjarëve të mjekut Thaçi
Partia Socialiste e Shqipërisë dënoi me ashpërsi vrasjen kriminale të ndodhur dje në spitalin e Durrësit. “Ngjarja e sotme është dhe një tjetër dëshmi e hidhur mbi pasigurinë e jetës me të cilën përballen mjekët gjatë kryerjes së detyrës së tyre”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Socialiste, të lexuar nga zëdhënësja e kësaj partie. Më tej, Partia Socialiste e Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të ndjera për humbjen e jetës së mjekut Fatmir Thaçi dhe i kërkon me forcë Ministrisë se Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e jetës së mjekëve.