E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1, nis analizimi i mostrave në laboratorin e ISHP-së

ISHP: U adaptua një laborator vetëm për mostrat e A/H1N1

RT-PCR, metoda që bënë analizimin e mostrave

Një metodë e zhvilluar teknologjike është instaluar në një pjesë të laboratorit të virusologjisë në Institutin e Shëndetit Publik për analizimin e mostrave të virusit A/H1N1. Mostrat po analizohen me metodën RT-PCR në Tiranë dhe procesi po mbikëqyret nëpërmjet një specialisti të aprovuar nga OBSH, i ardhur nga laboratori pranë Institutit Kantakuzino në Rumani.

Analizimi

Në këtë laborator kryhet testi i imunofluoreshencës direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. Më pas, kryhet kultura në linja qelizore, nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat 24-72 orë dhe më pas deri në një javë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç, ku dhe vihet re numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Vetëm 20% e mostrave janë të moshës pediatrike. Të dhënat tregojnë se deri tani nuk ka akoma shpërthim të infeksioneve respiratore apo sëmundje të ngjashme me gripin. Numri i mostrave të analizuara deri tani si të dyshuar me virusin e gripit të derrit është 857, nga ku 34 raste të konfirmuara në qytetin e Tiranës, Durrësit, Gjirokastrës, Beratit, Sarandës dhe Devollit.

Raportimi

Gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje kronike janë veçanërisht të rrezikuara nga gripi A/H1N1. Ndërsa gripi po përhapet, spitalet kanë bërë plane për të përballuar mundësinë e një numri të madh pacientësh, shumica fëmijë. Edhe të rinjtë janë në rrezik. Megjithëse fillimisht virusi u identifikua si gripi i derrave, nuk duket se ai përhapet nga derrat. “Kjo është një sëmundje që përhapet mes njerëzve dhe nuk ka lidhje me derrat”, - thonë specialistët. Në vendin tonë deri tani nuk kemi epidemi gripale. Punonjësit e shëndetësisë shpresojnë që ky virus të mos përhapet shumë, prandaj po i kërkojnë publikut të marrë masa parandaluese, si kollitja dhe larja e shpeshtë e duarve. Ndërsa vihet re se shumica e personave të infektuar nga virusi A/H1N1 e ka kaluar sëmundjen pa shumë komplikime, madje edhe është shëruar pa lënë asnjë shenjë. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se vaksina e gripit sezonal vitin e ardhshëm do të mbrojë njerëzit edhe nga gripi A/H1N1

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›