E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulen temperaturat, shtohet numri i pacientëve

Rënia e temperaturave ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiran dhe qendrave shëndetësore në Tiranë.
"Numri i pacientëve të vegjël, që kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Pediatrik të QSUT, ka shkuar deri në rreth 250 në ditë", thanë burime pranë QSUT-së.
Një pjesë e pacientëve largohen pas marrjes së ndihmës së duhur mjekësore dhe këshillave të nevojshme nga mjekët. Ndërkohë, në Shërbimin e Kardiologjisë pranë QSUT-së paraqiten rreth 120-130 persona në ditë, me simptoma të stinës.
Rritje e numrit të vizateve mjekësore vihet re edhe në qendrat shëndetësore, krahasuar me periudhën e mëparshme. Kështu, sipas drejtorit të Qendrës Shëndetësore nr. 8 në Tiranë, dr. Neritan Këlliçi, gjatë 10 ditëshit të parë të muajit tetor, numri i pacientëve të paraqitur në këtë qendër shëndetësore është rreth 5400. Gjatë muajit shtator, pranë kësaj qende janë paraqitur 10 mijë pacientë.
Aktualisht, pranë qendrës shëndetësore nr. 8 në Tiranë, e cila mbulon me shërbim shëndetësor zonën e Tiranës së Re, kryhen mesatarisht rreth 300 vizita në ditë. Për shmangien e problemeve shëndetësore, mjekët këshillojnë që ambientet brenda shtëpive të kenë temperaturë konstante, fëmijët të mos vishen trashë, të konsumohen sa më shumë lëngje si dhe të evitohen kontaktet me njerëzit e sëmurë me grip.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›