E Diel, 1 Nëntor 2026

A/H1N1, vaksina vjen të enjten, cilët vaksinohen të parët



Vala e parë e gripit pandemik A/H1N1 në vendin tonë ka kaluar. Aktualisht, Shqipëria po kalon një fazë të qëndrueshme për sa i përket situatës epidemiologjike dhe rasteve të konfirmuara si me influencën stinore ashtu edhe me gripin e derrave. Pëllumb Pipero, drejtori i Planifikimit dhe i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, në një intervistë për gazetën “standard” pohon se virusi i gripit të derrit në fund të muajit nëntor tentoi të prekte pragun epidemik, por vetëm sa e takoi dhe nuk e kaloi atë. Sipas Piperos, numri i rasteve të konfirmuara me virusin e ri A/H1N1 deri tani është 315. Për sa u takon rasteve të rënda, ai shprehet se rastet po ndiqen me kujdes mjekësor. Ndërsa për 4 rastet që humbën jetën nga gripi i derrave, pacientët mbartnin edhe historik të sëmundjeve kronike, çfarë ka rënduar situatën e tyre shëndetësore. “Për momentin kemi një person të shtruar në sanatorium, i cili është i njohur me sëmundje kronike dhe një tjetër që është një grua shtatzënë. Për këtë rast vetë shtatzënia është në rrezik. Tani ajo është në gjendje të qëndrueshme po ashtu edhe rasti i sanatoriumit është në gjendje të qëndrueshme të rëndë”, - thekson drejtori i Planifikimit dhe i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë. Për sa i takon vaksinës kundër gripit të derrit, ajo do të mbërrijë në vend ditën e enjte si dhe do të nisë vaksinimi i kategorive të përcaktuara nga OBSH-ja. Fillimisht do të vijnë 10 mijë dozat e para, ndërkohë që janë porositur 250 mijë doza në total. I pyetur në lidhje me mendimet pro dhe kundër bërjes së vaksinës nga stafi mjekësor në botë ka bërë që shumë vende të kenë stoqe vaksinash. Por në rastet që edhe në vendin tonë mund të ketë bluza të bardha që nuk pranojnë të vaksinohen, çfarë do të ndodhë, Pipero shprehet se kjo është një e drejtë e tyre dhe secili mund të bëjë zgjedhjen e tij.

Si paraqitet situata në vend nga gripi sezonal dhe virusi pandemik A/H1N1?

Në përgjithësi situata epidemiologjike për sa i përket influencës stinore dhe virusit A/H1N1 është e qetë numri i rasteve me infeksione respiratore në dy javët e fundit ka rënë. Ka një trend të qëndrueshëm aktualisht. Tentoi në fund të nëntorit të arrinte pikun apo atë që ne e quajmë pragun epidemik, por vetëm sa e takoi, por nuk e kaloi. Aktualisht, ka një rënie të këtij numri. Mendojmë se ka kaluar faza e parë e gripit pandemik. Presim që vala e dytë, që është potencialisht larg, në rast se virusi do të sillet ashtu siç e njohim ne, mund të fillojë në fund të muajit janar dhe në fillim të shkurtit. Për sa i takon numrit të rasteve të konfirmuara me virusin e ri A/H1N1 janë 315, mund të shtohen edhe 5-6 raste të tjera. E them këtë sepse duke qenë se situata epidemiologjike e virusit pandemik është e qartë, ne nuk është se marrim tampon më për çdo rast. Tamponi merret me indikacion kryesisht për rastet e rënda apo për vatra të reja që tashmë ne nuk kemi. Për sa i takon numrit të rasteve që janë të shtruar në repartet e terapisë intensive apo në reanimacionet e sanatoriumit apo në repartet e sanatoriumit apo në ato rajonale, deri tani janë 6-7 të sëmurë. Numri i përgjithshëm i rasteve të rënda ka qenë diku tek 30 raste të rënda prej të cilëve 4 janë të vdekur. Midis tyre një rast në sanatorium duket më rëndë, moshë e kaluar dhe një grua shtatzënë. Personi i shtruar në sanatorium është i njohur me sëmundje kronike, ndërsa për gruan shtatzënë vetë shtatzënia është në rrezik pra në gratë shtatzëna sëmundja është më e rëndë, jep komplikacione, por ajo tani është në gjendje të qëndrueshme, po ashtu edhe rasti i sanatoriumit është në gjendje të qëndrueshme të rëndë.

Kemi pasur edhe 4 raste humbje vdekjeje. Këto rate kanë pasur komplikacione të rënda apo kanë ardhur në spital në gjendje të rëndë?

Në përgjithësi kanë ardhur në gjendje të rëndë, në gjendje të avancuar të sëmundjes. Tre prej tyre kanë qenë me sëmundje kronike të zemrës, të diabetit, sëmundje të tjera polmunare kronike. Dhe në këto raste virusi i ri pandemik është shumë agresiv dhe natyrisht që vdekja ka ardhur nga gjendja e tyre. Midis tyre ka qenë një pacient, të cilit nuk i dihej historia, ai erdhi rëndë në spital, pasi ishte mjekuar në kushte shtëpiake prej tri ditësh.

Për sa i përket vaksinës kundër virusit pandemik, u tha se do të mbërrijë brenda kësaj jave. Mirëpo a ka një datë fikse se kur do të nisë vaksinimi në vendin tonë?

Jemi duke organizuar ardhjen e saj këtu dhe shpërndarjen për ta vënë në dispozicion të grupeve të rriskut dhe për ta vënë në dispozicion të personelit shëndetësor ditën e enjte. Nesër (sot) niset avioni nga Hungaria, dozat e para prej 10 mijë copash. Tashmë është bërë transferta e parave. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë të gjitha masat për të evidentuar grupet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si kategori të rriskuara.

Vaksina vjen të enjten në vend, por cilat janë grupet prioritare që ka përcaktuar Ministria e Shëndetësisë?

Të enjten vijnë 10 mijë dozat e para, ndërkohë që ne do të marrim sërish vaksina, pasi dozat e tjera do të vijnë me këste. Grupet e rriskut janë të përcaktuara nga OBSH-ja, ne i kemi identifikuar këto raste dhe bëhet fjalë për fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, personeli mjekësor, gratë shtatzëna, mësuesit, të sëmurët kronikë, për prindërit e fëmijëve 0-1 vjeç. Janë një sërë kontingjentesh të përcaktuara me udhëzimet e OBSH-së. Natyrisht, prioritet janë gratë shtatzëna, fëmijët dhe personeli mjekësor. E kam përsëritur edhe herë të tjera, orientimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që të këshillojmë fëmijët, të këshillojmë prindërit dhe personelin mjekësor, por ne nuk do të detyrojmë asnjë që të bëjnë vaksinën. Ne jemi të angazhuar të zbatojmë orientimet e OBSH-së, por pa i detyruar.

Si do të organizohet vaksinimi? Kategoritë e lartpërmendura ku mund të drejtohen për ta përfituar atë?

Do të bëhet në qendra shëndetësore. Personeli që do të merret me vaksinimin, është i trajnuar. Personat që duhet të vaksinohen, janë të identifikuar dhe të përcaktuar. Listat e personave janë tashmë në ISHP. Përparësia jonë për vaksinim janë qendrat urbane: Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, aty ku edhe ka pasur numër më të madh rastesh. Fillimisht do të nisim me Tiranën dhe me Durrësin. Një i sëmurë kronik duhet ta bëjë me përparësi vaksinën. Nuk përbën rrezik për shëndetin vaksina si vaksinë, problemi është tek efektet anësore të vaksinës, që të gjitha vaksinat në përgjithësi i kanë. Kjo është një vaksinë ende e pastudiuar klinikisht, pasi nuk kemi rezultate të ekzaminimeve apo të studimeve të gjata klinike për të thënë nëse ka efekte anësore. Nga informacioni që kemi nga Hungaria, ku është aplikuar vaksina, deri tani nuk ka raportime për efekte anësore të kësaj vaksine.

Në vendet ku ka nisur vaksinimi nga gripi pandemik H1N1, disa mjekë nuk kanë bërë vaksinën. Në rast se edhe mjekë të personelit tonë shëndetësor do të shprehin skepticizëm dhe nuk do të bëjnë vaksinën, a ka një plan ndërhyrjeje MSH-ja për promovimin për bërjen e vaksinimit?

Ne jemi të angazhuar të plotësojmë orientimet e OBSH-së, por jemi në fazën që i rekomandojmë, që i këshillojmë. Rastet që nuk do ta marrin vaksinën, ne nuk do t’i detyrojmë ta marrin, pasi ne shqyrtojmë që është zgjedhje personale për rastin konkret. Në aspektin epidemiologjik, virusi ka hyrë tashmë në vend dhe çfarë kishte për ta bërë, e ka bërë. Nuk është një sëmundje që ka vdekshmëri të lartë dhe në rast se ne e zëmë 5, i vaksinojmë dhe 5 mijë nuk i vaksinojmë do të thotë që të rritet vdekshmëria. Sëmundjet për të cilat vaksinimi bëhet i detyrueshëm janë që në moshë të vogël e deri në atë bazale. Personeli mjekësor që nuk dëshiron të bëjë vaksinën as nuk do ta bëjmë publik dhe as nuk do të marrim masa ndaj tij. Ne do ta rekomandojmë. Për sa u përket efekteve anësore do të veprohet rast pas rastit.

Pritshmëria për pranverën për sa i përket gripit të zakonshëm dhe atij pandemik?

Këto janë dy viruse që po ecin paralel me njëri-tjetrin. Trendi i rasteve me infeksione respiratore është goxha më i lartë se vitet e kaluara, ndaj dhe ne kemi këshilluar vazhdimisht që njerëzit të vaksinohen si me vaksinën antigrip, ashtu edhe me atë pandemike. Ne kemi këshilluar vazhdimisht që të respektohen rregullat e higjienës, të shmangen grumbullimet e panevojshme për të penguar transmetimet e virusit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›