AI: Të nisë hetimi për vrasjen e Mon Balajt e Arben Xheladinit

Për më shumë se gjashtë vjet familjet e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit kanë pritur drejtësi për vdekjen e bijve të tyre. Edhe ata që ishin lënduar rëndë, duke përfshirë Zenel Zenelin, Mustafa Nerjovajn dhe Hysni Hysenin, janë gjithashtu duke pritur drejtësi.
Amnesty International ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që bashkësia ndërkombëtare në Kosovë t’u sigurojë atyre qasje në drejtësi, si dhe dëmshpërblim të plotë për humbjen dhe lëndimet e tyre.
Mon Balaj dhe Arben Xheladini ishin vrarë gjatë një demonstrate të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, më 10 shkurt 2007. Ata vdiqën kur pjesëtarët e një njësie policore rumune, nën komandën e policisë së UNMIK-ut, qëlluan drejt demonstruesve me plumba gome.
Një hetim i brendshëm i UNMIK-ut, në vitin 2007, konstatoi se shkaku i vdekjes së protestuesve ishte “përdorimi i pavend i plumbave të gomës nga të paktën një e ndoshta dy qitës të njësisë rumune”. Në kohën kur këto konstatime ishin bërë, anëtarët e njësisë policore tashmë ishin larguar nga Kosova. Asnjë hetim i pavarur penal në Kosovë nuk është hapur ndonjëherë për vrasjet e kryera dhe lëndimet e të tjerëve. Një hetimi i paplotë i një prokurori ushtarak në Rumani ishte mbyllur në dhjetor 2009, pa i identifikuar përgjegjësit.
Amnesty International është në dijeni se familjeve të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, dhe dy të lënduarve, u janë dhënë kompensime për dëmin material nëpërmjet një procesi të brendshëm të OKB-së.
Megjithatë, as të afërmit e të ndjerëve, as burrat e lënduar, ende nuk kanë marrë ndonjë formë tjetër kompensimi që u takon atyre sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Familjet vazhdojnë të kërkojnë drejtësi që nga viti 2007. Ata kanë ngritur ankesë te Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (PKDNJ), i cili është themeluar në mars 2006 për të siguruar drejtësi ligjore për veprime dhe mosveprime nga UNMIK-u. Rasti i tyre te PKDNJ është ende në pritje, përkundër kundërshtimeve dhe bllokimeve të vazhdueshme nga UNMIK-u. Por PKDNJ nuk ka kompetenca për të nisur një hetim penal, por vetëm mund t’i japë rekomandime UNMIK-ut për të nisur një hetim të tillë. Megjithatë, UNMIK-u nuk ka më kompetenca për të bërë hetime dhe ndjekje penale për krime serioze në Kosovë.
Për këtë arsye, Amnesty International kërkon nga qeveria e Kosovës që të mbështetë apelin për hapjen e një hetimi të paanshëm dhe të pavarur të vdekjeve dhe lëndimeve që ndodhën më 10 shkurt 2007.
Duke qenë se edhe hetimi i brendshëm i UNMIK-ut i kishte ngarkuar me fajësi personat në zinxhirin e komandës, veprimet ose mosveprimet e të cilëve kishin shkaktuar përdorimin e plumbave të gomës në një situatë konfuze të rendit publik, hetimi duhet t’i trajtojë të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje. Kjo duhet të përfshijë një hetim për përgjegjësinë e mundshme penale të policisë së UNMIK-ut dhe zyrtarëve të tjerë që ishin në krye të operacionit policor atë ditë. Amnesty International iu bën thirrje UNMIK-ut dhe shteteve anëtare të OKB-së që të bashkëpunojnë plotësisht me këtë hetim.
Mungesa e vazhdueshme e një hetimi efektiv është shkelje e të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë të drejtën për jetë, ndalimin e torturës dhe trajtimeve të tjera çnjerëzore, të drejtën për tubim paqësor dhe të drejtën për zgjidhje ligjore efektive.
Gjithashtu, Amnesty International ia kujton UNMIK-ut Parimet Themelore të OKB-së dhe Udhëzimet për të Drejtën për Dëmshpërblim dhe Drejtësi Ligjore për Viktimat e Shkeljeve të Rënda të Ligjit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe për Shkeljet e Rënda të Ligjit Humanitar Ndërkombëtar.
Sipas Amnesty International UNMIK-u gjithashtu duhet të marrë masa që viktimat dhe të afërmit e të ndjerëve të fitojnë zhdëmtim të plotë në përputhje me të drejtat e tyre sipas ligjit dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut./Indeksonline/