“AIITC”, sot çmimet
22/06/2009 Ka mbërritur në edicionin e tretë ceremonia e ndarjes së çmimeve “AIITC”. Evenimenti i organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka në fokus krijimtarinë e vitit që lamë pas, pikërisht vitit 2008. Çmimet “AIITC”, që në mënyrë sigluese përfaqësohen me inicialet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), ndahen për tri kategori kryesore: libri më i mirë i vitit në gjuhën shqipe, që trajton tema në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame; peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë; krijimi më i arrirë nga moshat e reja në prozë ose në poezi me temë “E bukura në shpirt dhe në jetë”. Juria e përzgjedhur për këto çmime përfaqësohet nga personalitete të fushave përkatëse. Fituesit e çmimit “AIITC 2008” do të shpallen sonte, më 22 qershor, dhe do të nderohen me një ceremoni zyrtare, në të cilën pritet të jepen shumë medalje për konkurrentët nga Shqipëria, Kosova e më gjerë. Emrat më të rëndësishëm të shkencës, artit e kulturës shqiptare konkurrojnë midis tyre për çmimin e madh “AIITC”, i cili përveç medaljeve dhe certifikatave me motivacionin vlerësues, i stimulon fituesit edhe me një vlerë monetare, përkatësisht: për fituesin e vendit të parë të librit më të mirë të vitit në gjuhën shqipe, që trajton tema në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame akordohen jepen 3000 dollarë; për kategorinë e pikturës jepet shpërblimi prej 1500 dollarë dhe për krijimtarinë e moshave të reja akordohen 500 dollarë. Për herë të parë çmimi “AIITC” u zhvillua në vitin 2007, duke pasur në fokus krijimtarinë e vitit 2006.