AK: Jo heqjes së vizave me Serbinë, po mban të bllokuar Kosovën
Marrëveshja për heqjen e vizave me Serbinë është cilësuar si skandali i radhës i politikës shqiptare nga Aleanca Kuq e Zi.
Në një prononcim për shtyp para Kuvendit, aktivistët e Aleancës Kuq e Zi janë shprehur se diplomacia shqiptare ka dështuar, pasi nuk mund ti hapen kufinjtë një vendi që po mban të bllokuar Kosovën.
Ne jemi kundër marrëveshjes së vizave me Serbinë, jemi për lëvizje të lirë, por jo me vende që bllokojnë Kosovën. Në një kohë që shqiptarët e veriut të Kosovës janë të izoluar nga Serbia, Shqipëria i hap kufijtë Serbisë, thanë përfaqësuesit e AK.
AK bën përgjegjëse klasën politike shqiptare, e cila sipas saj po shpërfill Kosovën me marrëveshjen për heqjen e vizave me shtetin serb.
E majta dhe e djathta po shpërfillin Kosovën me këtë marrëveshje. Marrëveshjet e Serbisë të kushtëzohen me Kosovën, pasi ajo është betuar që nuk do ta njohë atë kurrë. Berisha e Rama i janë nënshtruar Serbisë dhe Greqisë, u shprehën aktivistët kuq e zi.