Mos lejojmë të na pështyjnë kështu në fytyrë!
Nga Geraldo Durda*
Referendumi është një zgjidhje momentale e situatës së krijuar për të parandaluar importin e plehrave, por jo një zgjidhje afatgjatë e sëmundjes dhe planeve mafioze për ta mbushur vendin me plehra. Nëse me referendum do të rrëzohet aktualisht kjo përpjekje qeveritare, nuk na garanton askush se nesër qeveria që do të vijë nuk do të përpiqet të hartojë një ligj si ky që po harton qeveria Berisha, pavarësisht që referendumi do të jetë arma e fundit e qytetarit civil. Nëse Presidenti i tha JO ligjit të mazhorancës, ne propozojmë që të mos thërrasim vit për vit qytetarët në referendume, por të amendohet projektligji aktual për të ndaluar hyrjen në marrëveshje apo negociata për import plehrash,për 20 vitet e ardhshme.
Si një nga tregueset e civilizimit, higjiena, apo mungesa e saj, përbën sot një kambanë alarmi, mes korit të gjëmimeve të fatalitetit që jehojnë në këtë vend. Të shëtitësh trotuareve të pista për të shijuar trokitjen e vjeshtës në Tiranë është një mënyrë e mirë për të provokuar së brendshmi një frymëzim të ri, të zi, të përzier me mllef. Të meditosh për ndërrimin e stinëve, ndërsa shkel nëpër plehra, të synosh të çlirosh romantizëm, ndërsa ndjen në fytyrë shijen alergjike të tymit të zi të makinave; të ecësh, të soditësh, të këqyrësh, të konstatosh peizazhin e shëmtuar të kryeqytetit me shpirtin e tkurrur prej zemërimit dhe ajrit të keq, të protestosh vetëm në heshtje ndaj këtij realiteti, pasi ke kuptuar se imazhi i Tiranës është si një pikturë bodrumi e pa shitur, të gjitha këto përbëjnë një arsye për të ulërirë e te protestosh së brendshmi, sepse ky qytet, me gjithë Bashkinë e tij, dhe me gjithë kryetarin e saj, sjanë gjë tjetër veçse ajo gjë që zakonisht nënkupton shprehja vulgare e pesimizmit shqiptar: Vari leshtë!
Si vegimet në lindje, dështimi i qeverisë zë fill nëpër rrugët me pluhur dhe plehra që kutërbojnë erë kërmë gjithandej. Qendra e gërvishtur e kryeqytetit ngjan me një peizazh ironie; sarkazma është fare pranë. Midis makinave helmuese me shtëllungat e tymit të zi, midis mjegullës së lënë pas, që do (po) qarkullojnë sërish në qendrën e Tiranës, (nën kujdesin e kryebashkiakut të ri), nënat shëtisin fëmijët e vegjël verdhacukë me karroca të pluhurosura. Në qendër, pranë heroit me kalë, pensionistët kanë fytyra të lodhura prej ngushëllimeve të kota që sjellin kujtimet. Atje vijnë vërdallë të papunët e shtuar, edhe këta me fytyra të lodhura nga terrori i ditës që vjen. Të gjithë ngjajmë si personazhe të luftës së parë botërore; nxitojmë të kalojmë kryqëzimet me mushkërinë e tharë dhe buzën e plasur prej ndotjes e stresit; sehirxhinjve viktima vërdallë (dashnorë nëpër stola që puthen mundimshëm, se rëra e ajrit ju kërcet nëpër dhëmbë, fëmijë të venitur prej teprisë së fosforit, dhe policë kryqëzimesh që helmohen dhe nxihen); të ndihesh viktimë e pafuqisë tënde qoftë edhe për të ëndërruar ajër të pastër, që ashtu si dëshirat e mira, mungon në këtë qytet të pushtuar nga pisllëku, nga makthi dhe horrllëku; do të thotë të jesh dëshmitar i një absurdi të shëmtuar publik..
Ne do të mblidhemi me datën 3 nëntor për të kundërshtuar ligjin arbitrar që lejon importimin e plehrave nga vendet evropiane. I drejtohemi kryeministrit që duket se as sheh e as dëgjon më: Zoti kryeministër, ne duhet të mendojmë e duhet të marrim masa për mbetjet në vendin tonë, e më pas të mendojmë për plehrat e komshinjve. Importi i mbetjeve nga vendet evropiane është rruga më e gabuar për të ardhmen tonë të përbashkët. Janë mbi 50 emërtime lëndësh të rrezikshme mbetjesh që do të importohen, është një listë e gjatë e rrezikut që na kanoset. Ne kërkojmë të zbatohet e drejta jonë qytetare, për tu ruajtur nga këto mbetje, që do të rrisnin rrezikshmërinë e sëmundjeve e jo vetëm. Importimin e plehrave e kundërshton i gjithë populli. Dëmet do të jenë të pakorrigjueshme.
Prandaj m datn 3 nntor pr t mbrojtur jetn ton: duhet t jemi t gjith bashk pr t protestuar kundr Plehrave. Prball Ministrisë s Mjedisit n orn 11:00. I dashur bashkëmoshatari im! Protesto edhe Ti! Bje për veten. Mos lejo të na pështyjnë kështu në fytyrë!
*Autori është i mbijetuar i Gërdecit. Ka humbur në shpërthimin e 15 marsit 2008 vëllanë