AK: Qeveria mashtroi me Xhaminë e Madhe, asnjë ndërtim deri tani
Tiranë- Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi kanë zhvilluar sot një protestë në sheshin e Namazgjasë duke thënë se qeveria dhe Bashkia e Tiranës gënjyen për ndërtimin e xhamisë në këtë vend.
Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i AK-së, Besnik Boçi u shprehet se kryeministri Sali Berisha nuk e mbajti premtimin elektoral, ndërsa tha se edhe kryesocialisti Rama mashtroi popullin duke mos marrë asnjë nismë për xhaminë.
Prej 23 vitesh shtetasi Berisha dhe ish-kryebashkiaku Rama mashtruan popullin për xhaminë e re, dhe nuk e ndërtuan asnjëherë atë, nuk hodhën as edhe një lopatë për rrethimin e Namazgjasë. Sot Aleanca Kuq e Zi publikon foto të rrethimit të Namazgjasë ku nuk ndërtohet e as nuk gërmohet prej 23 vitesh, fakte këto që i tregojnë popullit shqiptar se sa dhe si i mashtrojnë Berisha dhe Rama çdo ditë. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se qeveria e shtetasit Berisha dhe kreu i PS-së Rama, i kanë mashtruar prej vitesh dhe vazhdojnë ti mashtrojnë çdo ditë e më shumë duke mos mbajtur asnjë nga premtimet e tyre elektorale. Mijëra besimtarë myslimanë po diskriminohen, por Aleanca Kuq e Zi nuk mund ta lejojë një gjë të tillë pasi ata meritojnë një trajtim të barabartë me komunitet e tjera fetare në vend,- tha ai.
Më tej Boçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime, ndërsa shtoi se duhet të mos votojnë asnjë prej liderëve kryesorë, por Aleancën Kuq e Zi.