E Shtunë, 31 Tetor 2026

AK letër Berishës, peticion për bashkimin me Kosovën

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu ka ftuar kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, që të nënshkruajë peticionin për mbajtjen e referendumit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.

Ai ka deklaruar se sot peticioni është dërguar në zyrën e Kryeministrisë dhe më pas do t’iu dërgohet edhe krerëve të shtetit në Shqipëri e Kosovë.

“Aleanca Kuq e Zi do të ftojë në këtë peticion për të nënshkruar të gjithë drejtuesit e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, drejtuesit e institucioneve, politikanë të lartë dhe çdo qytetar që gëzon të drejtën e votës. Kjo kërkesë do t’i shërbejë dhe hapjes së një debati transparent mbi qëndrimet zyrtare dhe politike të figurave të larta të dy shteteve shqiptare”, ka thënë Spahiu, transmeton TCH.

Kreu i AK-së ka përligjur nismën e dërgimit të peticionit në zyrën kryeministrore, pas qëndrimeve publike të Berishës gjatë javëve të fundit mbi çështjen e bashkimit kombëtar.

“Ne ju ftojmë të jeni një nga bashkëfirmëtarët e parë të kërkesës zyrtare për realizimin e referendumit për bashkimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës. Aleanca Kuq e Zi po ju dërgon bashkëngjitur me këtë ftesë formularin origjinal të firmosur më 28 Nëntor në Morinë nga Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, ku u shënua dhe nisja zyrtare për mbledhjen e firmave për realizimin e këtij referendumi. Jeni i lutur që pas nënshkrimit të na e ktheni formularin me qëllim që Aleanca Kuq e Zi të vijojë procesin e firmosjes nga mijëra qytetarë të tjerë me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Spahiu./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›