Sheshi Tahrir në Egjipt sërish i mbushur me protestues

Sheshi Tahrir në Kajro është mbushur përsëri me demonstrues disa orë pasi drafti përfundimtar i kushtetutës së re të vendit u përgatit për miratimin e presidentit.
Protestuesit janë të zemëruar sepse mbështetësit islamit të Presidentit Mohamed Morsi e kanë dominuar organin e përpilimit të kushtetutës.
Ata thonë se kushtetuta e propozuar do të kufizojë lirinë e të shprehurit dhe do t’i japë mundësinë klerikëve myslimanë të mbikëqyrin legjislacionin e ri. “Morsi ka dështuar me deklaratën e re të kushtetutës”, tha një protestues dhe vazhdoi: “Ai i dha vetes fuqitë e një perëndie, duke thënë se do të jetë vetëm për dy muaj”.
Opozita shprehet se drafti është përpiluar shpejt si pjesë e marrjes së pushtetit nga Morsi dhe Vëllazëria Myslimane. Një person tjetër tha: “Presidenti i dëbuar Hosni Mubarak nuk e përçau popullin egjiptian gjatë qeverisjes së tij.
Tani kemi Morsin dhe nuk e dimë nëse është presidenti i Egjiptit apo presidenti i Vëllazërisë Myslimane”. Të gjitha nenet e draftit të kushtetutës u miratuan nga asambleja e kushtetutës gjatë një seancë plenare që zgjati gjithë natën.
Por liberalët dhe grupet e krishtere e bojkotuan draftin duke u deklaruar se zërat e tyre nuk u dëgjuan. Drafti i kushtetutës do t’i dërgohet Morsit, i cili do ta hedhë në një referendum popullor brenda 30 ditësh./Indeksonline/