Të burgosurit kosovarë mund të transferohen nga Zvicra në Kosovë

Të burgosurit kosovarë mund të transferohen nga Zvicra në Kosovë Shtetasit e Kosovës të cilët jetojnë në Zvicër dhe të cilët kanë kryer delikte dhe vuajnë dënimin me burg në Zvicër, do të mund të kryejnë vuajtjen e dënimit në Kosovë. Kjo parashihet në një marrëveshje që Zvicra e ka realizuar vitin e kaluar me Kosovën. Ndërsa këtë të mërkurë, Këshilli Federal i Zvicrës e ka bërë marrëveshjen gati për ratifikim.
Marrëveshja në fjalë, që vlen edhe për zviceranët të cilët kanë kryer delikte në Kosovë, synon të lehtësojë riintegrimin në shoqëri të personave të dënuar me burg. Një i burgosur që është pranë rrethit të tij familjar e kulturor, integrohet më lehtë, pas lirimit, thuhet në një komunikatë të Këshillit Federal, shkruan Albinfo.
Përmes kësaj marrëveshje po ashtu synohet zvogëlimi i numrit të të burgosurve të huaj në burgjet zvicerane. Për burgjet e Zvicrës kjo do të përbënte një kursim substancial. Me këtë rast shteti ku është shqiptuar dënimi do të hiqte vetëm shpenzimet e dorëzimit, por jo edhe të vazhdimit të mbajtjes së dënimit.
Marrëveshja nuk i obligon shtetet që të pranojnë kërkesën e shtetit tjetër për pranim të të dënuarit konkret. Nga ana tjetër, i dënuari, në raste të caktuara, mund të dërgohet në vendin e prejardhjes për të vuajtur dënimin edhe pa dhënë pëlqimin e tij.
Megjithatë, marrëveshja parasheh edhe mundësinë që i dënuari të bëjë ankesë në Gjykatën Federale kundër transferimit të tij për të vuajtur dënimin në shtetin e prejardhjes./Indeksonline/