E Diel, 1 Nëntor 2026

AKEP: Ja e vërteta e kontratës tip të AMC për të cilën shkruan drejtori i ZMK

Sqarim lidhur me letrën e hapur të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve ZMK- drejtuar AKEP në Gazetën SOT, datë 04. 03. 2010 me titull: Skandali i AKEP: Kërkon të miratojë kontratën e re tip në favor të AMC dhe në dëm të konsumatorëveMë datë 04.03.2010 Drejtori Ekzekutiv i ZMK, nëpërmjet një letre të hapur botuar në gazetën SOT, i drejtohet

Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare AKEP, duke ngritur akuza kundrejt të cilave e ndiejmë të nevojshme të bëjmë sqarimin e mëposhtëm. Sqarojmë se sipas pikës 5 të nenit 99 të ligjit nr. 9918, datë 19. 05. 2008 Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë, parashikohet që Kontrata tip e pajtimit, që lidhet ndërmjet sipërmarrësit dhe pajtimtarit, hartohet nga sipërmarrësi dhe miratohet nga AKEP-i. Kjo nënkupton që kontrata tip nuk është një dokument rregullator që nxirret nga AKEP-i por një akt juridik i cili hartohet nga sipërmarrësit si palë e tij dhe që miratohet nga AKEP-i pas verifikimit të përputhshmërisë së saj ligjore.Në zbatim të këtij detyrimi ligjor, AMC pasi hartoi projekt-kontratën e re tip ia paraqiti atë AKEP-it për miratim. Me disponimin e kërkesës për miratimin e kontratës tip, AKEP-i filloi veprimet proceduriale për verifikimin e përputhshmërisë së saj me përcaktimet ligjore të parashikuara në pikën 1 të nenit 99 të këtij ligji, kërkesat ligjore të përcaktuara në ligjin nr. 9902, datë 17.04.2008 Për mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe parimet e kushtet e parashikuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë për marrëdhëniet kontraktuale, me qëllim garantimin e parimit të barazisë së palëve. Në këtë proces ka një vonesë e cila ka ardhur si rezultat i problemeve që ka patur AKEP gjatë vitit 2009 në funksionimin normal të tij. Më datë 07. 09. 2009, Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit, i cili sipas ligjit nr. 9902 Për mbrojtjen e konsumatorëve, është organi kompetent për shqyrtimin e shkeljeve dhe marrjen e masave për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, i drejtohet AKEP-it me kërkesën për informacion lidhur me kontratat tip të sipërmarrësve të komunikimeve elektronike. Në përgjigje të kësaj kërkese, AKEP, bashkërisht me projekt-kontratat e paraqitura edhe nga sipërmarrësit e tjerë si Albtelecom e Eagle Mobile, i dërgon Komisionit në fjalë dhe projekt-kontratën e AMC-së, duke i kërkuar që të paraqesi komentet dhe sugjerimet e veta mbi këto kontrata përpara miratimit të tyre nga AKEP. Në këtë mënyrë, krahas riaktivizimit të procedurës, AKEP-i duke ftuar Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorëve për shprehjen e mendimit si organ kompetent i fushës, zgjeroi pjesëmarrjen e palëve të interesuara në procesin e shqyrtimit të projekt-kontratave tip. në respektim të parimit të bashkëpunimit të administratës publike me palët e interesuara. Drejtori Ekzekutiv i ZMK, avokati Altin Goxhaj, është njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve. Për këtë arsye ai është vënë në dijeni lidhur me projekt-kontratat tip të sipërmarrësve të komunikimeve elektronike në përgjithësi dhe atë të AMC-së në veçanti dhe si anëtar i këtij Komisioni duke patur rastin të japi kontributin e tij gjatë procesit të bashkëpunimit midis Komisionit dhe AKEP-i për këtë çështje. Në takimin e organizuar më datë 03. 03. 2010 me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorëve, AKEP-i ka vënë në dijeni Komisionin për ecurinë e procesit të shqyrtimit të projekt-kontratave tip në fjalë të paraqitura në AKEP nga sipërmarrësit për miratim, duke përfshirë këtu edhe projekt-kontratën tip të AMC-së. Nga ana tjetër, kërkesës së paraqitur nga ZMK për tu dëgjuar si palë e interesuar mbi projekt-kontratën tip të paraqitur nga AMC, më datë 03.03.2010 AKEP-i iu përgjigj pozitivisht duke përcaktuar datën 10.03.2010 për zhvillimin e seancës dëgjimore. Me qëllim shmangien e çdo keqkuptimi apo keqinterpretimi sqarojmë se përfshirja në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Drejtues më datë 04.03.2010, të fillimit të shqyrtimit të kërkesës së AMC-së për miratimin e kontratës tip me pajtimtarin nuk përmbante asnjë qëllim tjetër përveçse atij të zbatimit të detyrimeve ligjore në përputhje me kompetencat dhe procedurën përkatëse. Në këtë kontekst, dëgjimi i palëve të interesuara është një veprim që kryhet në vijim të procedurës dhe përpara marrjes së vendimit përfundimtar, që në rastin konkret ende nuk është ezauruar. Ndërkohë po punohet intensivisht dhe për kontratat me Albtelecom, Vodafone dhe Eagle Mobile që do të përfundojne shumë shpejt

Last Updated on E Premte, 05 Mars 2010 22:58

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›