AKEP: Tarifat e telefonisë celulare nuk do të rriten më automatikisht nga 2027

Ndryshojnë rregullat për përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar këtë të enjte një rregullore të re që parashikon vlefshmëri 12-mujore të kartave SIM, afat minimal prej 180 ditësh për kredinë monetare dhe ndalimin e disa klauzolave që lejojnë rritjen automatike të tarifave mujore.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me tarifat mujore. Duke nisur nga 1 janari 2027, operatorët nuk do të lejohen të përfshijnë në kontrata klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit, në rastet kur vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar në momentin e nënshkrimit të kontratës. Masat e reja do të hyjnë në zbatim sipas afateve të përcaktuara në rregullore, duke nisur nga 1 janari 2027.