E Diel, 1 Nëntor 2026

AKP-ja kërkon lirimin e banesave nga 31 familje në Vushtrri

Agjencioni Kosovar i Pronave përmes një urdhër për dëbim të datës 9 korrik 2013, ka kërkuar nga 31 familjarët në banesat përballë kalasë së qytetit në Vushtrri për t’i liruar ato.

“Në përputhje me nenin 126 të rregullores së UNMIK-ut 2000/60 të ndryshyar, ju apo cilido person që ka uzurpuar pronën, objekt i lëndës së përmendur më poshtë dhe e cila është nën administrimin e AKP-së, njoftoheni se duhet ta lironi pronën dhe t’ia dorëzoni në posedim AKP-së”, para ose në pasditën e ditës së 30-të nga dita e pranimit të këtij udhëzimi” thuhet në urdhërim e AKP-së. Tutje në të thuhet se në rast moszbatimi të këtij urdhëri, refuzimi apo shpërfilljeje dhe moslirimi të pronës mund të dëboheni nga AKP-ja dhe autoritetet për zbatim të ligjit pa ndonjë njoftim të mëtejshëm. Po cila është historia e kompleksit banesor në qendrën e qytetit sipas banorëve, shfrytëzues të tyre?

“Banesat menjëherë pas lufte kanë qenë të pabanuara dhe objekti si tërësi ka qenë i pameremetuar, ne banorët kemi hyrë në to duke investuar shumë mjete për t’i përfunduar dhe adaptuar ato për banim” thotë Milazim Hyseni, shfrytëzues i njërës nga ato banesa, transmeton ueb-faqja zyrtare e Komunës së Vushtrrisë.

Asnjëri nga këta shfrytëzues nuk e konteston faktin se banesat nuk janë në pronësi të tyre, porse janë vendas për të jetuar, pasiqë s’kanë pasur zgjedhje tjetër dhe se të gjithë kanë investuar në meremetimin e tyre.

“Ne kërkojmë nga AKP-ja që ta ketë parasysh këtë fakt të investimeve dhe të arrihet një marrëveshje me të gjithë kompetentët që ne si investitor të pjesshëm të kemi të drejtën që në kushte më të favorshme t’i blejmë ato” thotë Avdi Gela në emër të këtyre banorëve.

Këta banorë shqetësimet e tyre i paraqitën edhe para kryetarit të komunës Bajram Mulaku, i cili u tha që kompetencat e komunës në këtë sferë janë krejtësisht të kufizuara. “Moralisht ne mbështesim arritjen e një marrëveshje të banorëve si shfrytëzues aktual të këtyre banesave me AKP-në që në procesin e privatizimit ata të kenë përparësi në blerje të banesave dhe në kushte më të favorshme” u tha Mulaku këtyre banorëve. Ndryshe largimi eventual i këtyre banuesve nga këto banesa do ta rëndonte edhe më shumë problemin e strehimit social, pasi 31 familje komuna nuk ka se ku t’i vendos. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›